Advertisement

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka kritikuar strukturat vendore të Policisë në Korçë dhe Elbasan, duke deklaruar se puna e bërë në disa prej drejtimeve kryesore të luftës kundër kriminalitetit ka qenë e pamjaftueshme.

Gjatë takimeve me strukturat e dy qarqeve, si dhe me strukturat e Kufirit dhe Migracionit në Korçë, Hita kërkoi rritje të menjëhershme të performancës dhe angazhim maksimal në terren.

Reklame

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, Hita ka evidentuar si problematikë punën për parandalimin dhe goditjen e armëmbajtjes pa leje, shitjes së lëndëve narkotike dhe kapjen e personave në kërkim.

Drejtori i Përgjithshëm kërkoi gjithashtu intensifikimin e punës kundër kultivimit të bimëve narkotike dhe krimeve mjedisore, si dhe zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë.

Një tjetër kërkesë ishte përmirësimi i informacionit nga inteligjenca kriminale, me qëllim që strukturat policore të kenë të dhëna më cilësore për parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit.

Në takime, Hita ka kërkuar rritjen e performancës së shërbimit policor në të gjitha nivelet.

Në fokus ka qenë edhe përdorimi më i madh i teknologjisë nga Policia Rrugore, zbatimi i porosive për mosndalimin pa shkak të automjeteve në akset kryesore kombëtare, si dhe ndëshkimi i parkimeve të gabuara që krijojnë rrezik për aksidente ose pengojnë lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.

Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar gjithashtu reagim më të shpejtë dhe profesional të shërbimeve policore ndaj ngjarjeve dhe shqetësimeve të ngritura nga qytetarët.

Një tjetër porosi ka qenë garantimi i sigurisë në shkolla.

Hita ka kërkuar angazhim maksimal të strukturave, nga shefat e komisariateve deri te Patrullat e Përgjithshme, për evidentimin dhe ndjekjen e problematikave që lidhen me sigurinë e nxënësve.

Kritikat nuk janë kufizuar vetëm te strukturat vendore të Policisë.

Sipas njoftimit zyrtar, Hita ka deklaruar se është bërë “punë e pamjaftueshme” edhe nga strukturat e Policisë Kufitare për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.

Ai kërkoi intensifikimin e luftës kundër trafiqeve dhe ndihmës ndaj emigrantëve të paligjshëm që tentojnë të përdorin Shqipërinë si vend transit drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Hita kërkoi gjithashtu rritjen e performancës në pikat e kalimit kufitar, duke i cilësuar ato si pikën e parë të kontaktit të qytetarëve dhe turistëve me Shqipërinë.

Në përfundim të takimeve, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi “luftë pa kompromis ndaj paligjshmërive”, reagim në kohë reale dhe angazhim maksimal nga të gjitha strukturat policore.

Skënder Hita është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit më 30 mars 2026.

Lexo edhe:

Protesta e opozitës në Tiranë/ Hitaj me “dorë të hekurt”, lejohet vetëm në bulevard

Pas atentatit në Sarandë/ Hitaj zbarkon në qytetin bregdetar: Hetime të thelluara e kontrolle me dron

Reklame