Kryeministri Edi Rama ka folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për inteligjencën artificiale, dezinformimin dhe ndikimin e algoritmeve në shoqëri, duke sjellë si shembull edhe atë që ai e quajti “Revolucioni Flamingo”.
Rama tha se gjatë qëndrimit në Nju Jork ishte surprizuar nga interesi i bashkëbiseduesve ndërkombëtarë për zhvillimet në Shqipëri, veçanërisht për përdorimin e inteligjencës artificiale.
“Jam i surprizuar shumë pozitivisht që shumë miq donin të dinin rreth asaj që po ndodh në vendin tonë me IA”, u shpreh ai.
Sipas Ramës, inteligjenca artificiale nuk duhet parë vetëm si një teknologji që kryen detyra më shpejt, por si një zhvillim që ndryshon mënyrën se si njerëzit ndërtojnë dhe kuptojnë realitetin.
Rama: Shqipëria po e jeton të ardhmen
Kryeministri deklaroi se Shqipëria nuk është një vend që zhvillon vetë modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale, por sipas tij, po përjeton në praktikë disa prej ndryshimeve që vende të tjera ende po i diskutojnë.
“Shqipëria nuk është zhvilluese e modeleve të fjalës së fundit, por jemi një komb që e kemi jetuar të ardhmen që të tjerët janë duke debatuar”, tha Rama.
Ai u ndal edhe te “Diella”, ministrja virtuale e krijuar me inteligjencë artificiale, duke ngritur pyetjen se kush mban përgjegjësi për një vendim të marrë me ndihmën e teknologjisë.
“Pyetja nuk shtrohet se sa shpejt e kreu punën makina, por se çfarë mësoi qenia njerëzore”, deklaroi ai.
Rama shtoi se pas çdo vendimi me ndikim publik duhet të ekzistojë një përgjegjësi dhe mandat ligjor.
“Revolucioni Flamingo”, Rama: Protesta edhe kundër një “armiku fantazmë”
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së Ramës iu kushtua dezinformimit dhe mënyrës se si algoritmet mund të ndikojnë te perceptimi i qytetarëve.
Duke iu referuar “Revolucionit Flamingo”, ai e përshkroi atë si një narrativë të trilluar mbi një pretendim për pushtim izraelit të bregdetit shqiptar.
“Keni ndjekur ose keni mësuar për Revolucionin Flamingo, narrativë të trilluar të një pushtimi izraelit të bregdetit shqiptar, pushtim që nuk ndodhi kurrë, u fabrikua dhe u përcoll përmes kanaleve që qytetarët u besonin tashmë”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, qytetarët mund të kenë pasur arsye reale për të protestuar, por ai pretendoi se në këtë rast një pjesë e mobilizimit u ndikua edhe nga një kërcënim që ai e konsideron të sajuar.
“Qytetarët kanë arsye të protestonin, por protestuan edhe kundër një armiku fantazmë. Frika u shndërrua në zemëratë, kjo në mobilizim dhe trillimi në realitet politik”, u shpreh Rama.
“Algoritmi nuk shpiku urrejtjen”
Rama argumentoi se teknologjia nuk krijon domosdoshmërisht emocionet njerëzore, por mund të identifikojë mënyrat për t’i aktivizuar ato.
“Nuk ishte eksperiment politik, algoritmi nuk shpiku dhe ndezi urrejtjen, por zbuloi se si të aktivizonte urrejtjen tonë”, tha ai.
Në këtë kuadër, kryeministri paralajmëroi edhe për ndikimin që teknologjia mund të ketë në proceset zgjedhore.
Sipas tij, ndërhyrjet në zgjedhje nuk kanë më nevojë vetëm për propagandë tradicionale, pasi teknologjia mund të krijojë përmbajtje dhe realitete të ndryshme për individë të ndryshëm.
“Dy fqinj mund të jetojnë brenda realitetit krejtësisht të ndryshëm që janë prodhuar specifikisht për secilin prej tyre”, deklaroi Rama.
Rama: Liria e fjalës mund të përdoret si armë kundër vetes
Kryeministri foli edhe për marrëdhënien mes lirisë së fjalës dhe shpërndarjes së informacionit në platformat dixhitale.
Ai tha se ndërsa e drejta për të shprehur një ide është universale, shpërndarja e informacionit mund të manipulohet ose të blihet.
“Kur një gënjeshtër shumëfishohet, e vërteta varroset”, u shpreh Rama.
Sipas tij, qytetarët sot përballen me një sasi informacioni që mund ta bëjë të vështirë dallimin mes së vërtetës dhe manipulimit.
“Liria e fjalës përdoret si armë kundër saj”, deklaroi kryeministri.
Në fund, Rama e lidhi mbrojtjen e demokracisë me nevojën për të kuptuar dhe kontrolluar më mirë fuqitë që teknologjia dhe algoritmet kanë mbi informacionin, perceptimin dhe opinionin publik.
Lexo edhe:
Rama pas vezëve në New York: Nuk më ndalin dot në misionin për ta çuar flamurin në majën e Europës














