Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas largimit nga detyra të Engjëll Agaçi dhe Valbona Bizhga, duke i akuzuar ata për përfshirje në afera të rënda dhe veprimtari të paligjshme.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se të dy “kanë kryer krime” dhe se largimi i tyre përbën, sipas tij, një përpjekje për t’i shpëtuar përgjegjësisë ligjore.
“Ju duhet ta dini se Don Agaçio ‘dhuratë madhi’ është një nga koskat mafioze më të rrezikshme të Ballkanit, me veprimtari mafioze kundër Shqipërisë, shqiptarëve dhe kundër italianëve dhe shtetit italian. Unë kam besim të madh se në të dy vendet, ky mafioz do të bëhet përgjegjës para ligjit,” deklaroi Berisha.
Sa i takon Bizhgës, ai pretendoi se në zyrën e saj, me autorizim të kryeministrit Edi Rama, janë zhvilluar pazare për projektin e bajpasit të Fierit, të cilat, sipas tij, i ka denoncuar më herët.
“Si kurrë ndonjëherë në zyrën e saj, natyrisht me autorizimin e Ramës, por ajo nuk duhej ta pranonte kurrë, bëheshin pazare për bajpasin e Fierit. Thirreshin kompanitë nga Vali Bizhga, sikur të ishte shefe e supervizionit të punimeve,” u shpreh ai.
Në përfundim, Berisha përdori një metaforë të fortë për të përshkruar largimin e tyre nga qeveria: “Janë minjtë që ikin kur mbytet anija për të mos u mbytur dhe vetë. Por ligji do të jetë i pamëshirë dhe ndaj tyre.”
Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Agaçi apo Bizhga lidhur me këto akuza.














