Advertisement

Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar kontrollet në akset kryesore lidhëse dhe rrugët me fluks të lartë qarkullimi, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Sipas të dhënave të publikuara nga Policia, gjatë javës së fundit janë konstatuar gjithsej 12 505 raste të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

Reklame

Gjatë kontrolleve janë evidentuar edhe 24 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. Autorët e dyshuar janë arrestuar ose janë proceduar penalisht.

Një nga rastet e proceduara lidhet me një drejtues automjeti, i cili dyshohet se ka tentuar të korruptojë një punonjës Policie, duke i ofruar një kartëmonedhë prej 2 mijë lekësh të rinj. Sipas Policisë, drejtuesi synonte të shmangte masën administrative pasi ishte konstatuar duke drejtuar automjetin pa vendosur rripin e sigurimit.

Në kuadër të kontrolleve janë marrë edhe masa për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit. Konkretisht, janë vendosur 74 masa administrative për mospozicionim të rregullt në karrexhatë, shkelje që sipas Policisë mund të nxisë manovra të gabuara dhe të krijojë kaos në trafik.

Po ashtu, janë vendosur 12 masa për drejtim të automjetit nën efektin e alkoolit, një shkelje që konsiderohet me rrezik të lartë për sigurinë e përdoruesve të rrugës.

Policia Rrugore ka marrë gjithashtu masa për 31 automjete, të cilat janë ndaluar ose parkuar në kundërshtim me parashikimet e Kodit Rrugor dhe për të cilat është vendosur lëvizja me mjet ngritës.

Ndërkohë, për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe mosmbajtjen e kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve, janë vendosur gjithsej 1562 masa administrative.

Policia Rrugore e Tiranës apelon drejtuesit e automjeteve dhe të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit, të shmangin drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit dhe drejtimin pa leje drejtimi.

Autoritetet kërkojnë gjithashtu rritjen e përgjegjshmërisë së të gjithë përdoruesve të rrugës, me qëllim garantimin e sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.

 

 

Lexo edhe:

Rrugorja “namin” me gjoba, qindra shkelje në vetëm 72 orë ndëshkohen shoferët

Policia Rrugore në aksion, mbi 4 mijë masa administrative në 24 orë

Reklame