Arratisja e të paraburgosurit Altin Ndoci nga Spitali Rajonal i Durrësit ka zbuluar një sërë shkeljesh të rënda të protokolleve të sigurisë, duke e kthyer ngjarjen në një dështim serioz institucional. Burime nga spitali bëjnë me dije se për shoqërimin e Ndocit nuk është respektuar asnjë nga procedurat e detyrueshme që aplikohen për vizitat mjekësore të personave të paraburgosur apo të dënuar.

Sipas të njëjtave burime, ekziston një protokoll i qartë që parashikon njoftimin paraprak të spitalit, informimin e drejtuesve të reparteve dhe koordinimin me Policinë Vendore, përpara se një i paraburgosur të paraqitet për vizitë mjekësore. Në rastin konkret, Drejtoria e Paraburgimit nuk ka njoftuar Spitalin Rajonal të Durrësit për ardhjen e Altin Ndocit, ndërsa as Drejtoria Vendore e Policisë Durrës nuk është vënë në dijeni. Kjo situatë, sipas burimeve spitalore, është përsëritur edhe në raste të tjera gjatë muajit të fundit.

Reklame

Kur spitali njoftohet për vizita të tilla, merren masa shtesë sigurie, duke përfshirë forcimin e ruajtjes në hyrje të repartit dhe rrethimin e perimetrit të sigurisë. Asnjë nga këto masa nuk është zbatuar ditën e sotme.

Altin Ndoci u shoqërua në spital për një vizitë mjekësore të planifikuar në repartin e Infektivit, pasi ankohej për shqetësime në veshka. Ky repart ndodhet në një godinë më vete brenda territorit të spitalit rajonal. Godina ka tre kate dhe vetëm dritaret e katit të tretë janë të pajisura me hekura, pasi aty ndodhet dhoma e posaçme për vizitat e të paraburgosurve dhe të dënuarve.

Shoqërimi i Ndocit është kryer nga dy efektivë të Policisë së Burgjeve, të cilët e kanë çuar në dhomën e kontrollit në katin e tretë të repartit infektiv. Brenda kësaj dhome ndodhet edhe tualeti. Sipas burimeve, Ndoci ka kërkuar të futet në tualet dhe është shoqëruar nga njëri prej policëve, i cili ka qëndruar te dera e tualetit brenda dhomës, ndërsa polici tjetër ndodhej në një cep tjetër të ambientit.

Në një moment, Altin Ndoci ka dalë nga tualeti dhe ka goditur të dy efektivët. Më pas ai ka shpartalluar derën, e cila ishte e mbyllur me çelës nga brenda, duke arritur të largohet nga ambienti i kontrollit. Pamjet e kamerave të sigurisë të vendosura jashtë spitalit tregojnë se policët kanë dalë nga godina 12 sekonda pasi i paraburgosuri ishte larguar nga dera kryesore e Infektivit.

Pas largimit, Ndoci ka zbritur shkallët dhe ka dalë nga dera kryesore e godinës së Infektivit, duke vrapuar drejt traut të vendosur në hyrje të parkimit të brendshëm të spitalit. Distanca nga dera e Infektivit deri te trau i daljes është më pak se 50 metra. Menjëherë pas traut, dy automjete e prisnin, njëri prej të cilëve një “Audi A7” luksoz, ku Altin Ndoci ka hipur për t’u larguar nga spitali.

Në oborrin e brendshëm të godinave spitalore ndodhej furgoni i Policisë së Burgjeve, ndërsa një nga efektivët ka qëlluar me armë në tokë, sapo ka dalë nga godina e Infektivit, në përpjekje për të trembur të paraburgosurin. Megjithatë, kjo nuk ka arritur të ndalojë arratisjen.

Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën e shoqërimit të personave me rrezikshmëri të lartë dhe mbi mungesën e koordinimit mes institucioneve, duke ekspozuar jo vetëm dështimin e protokolleve të sigurisë, por edhe rrezikimin e sigurisë publike brenda një institucioni shëndetësor.

Reklame