Godina e Gjykatës së Lartë, disa banka dhe biznese në Tiranë kanë pësuar dëme të konsiderueshme gjatë protestës, ku u regjistruan akte dhune, zjarrvënie dhe hedhje molotovësh.

Muret e nxira, fasada e shkrumbuar dhe skeleti metalik i ekspozuar janë ndër pamjet që bien në sy në godinën e Gjykatës së Lartë, ku zjarri i shkaktuar gjatë protestës mori përmasa të tilla sa rrezikoi ndërtesën.

Reklame

Në pjesën e përfshirë nga flakët, tavani është rrëzuar, ndërsa në ambientet e brendshme kanë mbetur grumbuj materialesh të dëmtuara. Xhamat e dritareve në katin e parë janë thyer, ndërsa nga hapësirat e krijuara dyshohet se janë hedhur molotovë brenda zyrave.

Shkalla e plotë e dëmeve në godinën e Gjykatës së Lartë pritet të përcaktohet pas një vlerësimi të detajuar të ambienteve të prekura.

Dëme edhe në banka dhe biznese

Pasojat e protestës janë vënë re edhe në biznese dhe institucione të tjera në kryeqytet. Një biznes në pronësi të një kompanie celulare, pranë godinës së Gjykatës së Lartë, ka pësuar dëmtime në pjesën e sipërme të fasadës, ku xhamat janë thyer.

Dëme janë konstatuar edhe në një tjetër pikë të të njëjtit operator, në hyrje të Rrugës së Dibrës, ku gjatë protestës u raportua plaçkitje dhe u morën sende nga ambientet e biznesit.

Ndërkohë, në rrugën “Myslym Shyri”, një filial banke i nivelit të dytë ka pësuar dëme nga zjarri.

Dëme edhe në ambientet e Bankës së Shqipërisë

Edhe zyrat e Bankës së Shqipërisë, pranë ish-hotel “Dajti”, kanë shenja të dukshme dëmtimi. Dera kryesore, e cila sipas raportimeve u dëmtua gjatë protestës dhe më pas u përfshi nga flakët, është nxirë plotësisht.

Gjithashtu, janë dëmtuar grilat e dritareve, ndërsa janë thyer xhamat e dritareve, të disa dyerve dhe të kabinës së rojes.

Pamjet nga këto objekte tregojnë pasojat materiale të dhunës gjatë protestës në Tiranë. Bilanci i plotë financiar i dëmeve mbetet për t’u përcaktuar nga institucionet dhe subjektet e prekura.

Lexo edhe:

Rama për protestat: “Studentët janë pengje të grupit të zjarrit”, akuzon Berishën dhe duart e huaja

Rama: Protestat po nxisin dhunë, “nuk dua të bie në kurthin që kërkon gjak”

Reklame