Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestat që prej pesë ditësh po zhvillohen në Tiranë, duke i cilësuar ato si pjesë të një përpjekjeje të organizuar për të destabilizuar vendin. Sipas tij, lëvizja frymëzohet nga zhvillimet në vende të tjera të botës, ndërsa Shqipëria ka një specifikë të veçantë, pasi ndodhet në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian në vitin 2030.
Rama deklaroi se një pjesë e të rinjve dhe studentëve që marrin pjesë në protestë janë të pakënaqur dhe kërkojnë ndryshim, por pretendoi se ata po përdoren nga persona që nxisin dhunën.
“Me keqardhje të madhe them që kjo rini dhe studentë që janë në bulevard janë pengje të atij grupi të zjarrit në krye”, u shpreh kryeministri, duke akuzuar gjithashtu protestuesit e maskuar se përdorin të miturit gjatë përplasjeve me policinë.
Rama: Po sfidohet anëtarësimi në BE në vitin 2030
Kreu i qeverisë pretendoi se protestat e dhunshme nuk po sfidojnë vetëm qeverinë, por edhe perspektivën evropiane të Shqipërisë.
“Po sfidohet Shqipëria në Bashkimin Europian në vitin 2030 dhe mënyra evropiane mes forcave në një hapësirë demokratike”, deklaroi Rama.
Ai u ndal edhe te sulmet ndaj bankave dhe bizneseve, duke pretenduar se ato synojnë përhapjen e panikut te qytetarët. Kryeministri solli në vëmendje trazirat e vitit 1998 dhe krizën e firmave piramidale, duke bërë krahasime me situatën aktuale.
Rama ia atribuoi nxitjen e dhunës kreut të opozitës, Sali Berisha, pa e përmendur drejtpërdrejt në çdo pjesë të deklaratës, dhe akuzoi kundërshtarët politikë se po përpiqen të pengojnë rrugën evropiane të vendit.
Akuzat për “duar të huaja” dhe dezinformim
Kryeministri foli gjithashtu për atë që e cilësoi si ndikim të faktorëve të huaj dhe ekstremistëve politikë në protestë. Ai përmendi Rusinë dhe Iranin, lëvizje të ekstremit politik dhe pretendime që kanë qarkulluar në rrjetet sociale për përfshirjen e shtetasve izraelitë apo efektivëve serbë në përplasjet në Tiranë.
Rama i cilësoi këto pretendime si të pavërteta dhe pjesë të një fushate dezinformimi, duke mohuar se pas tyre qëndrojnë fakte të besueshme.
Në deklaratën e tij, kryeministri tha se Shqipëria nuk do të përfshihet nga ajo që e quajti një përpjekje për të nxitur dhunë dhe përçarje.
Protestat në Tiranë kanë vijuar prej pesë ditësh, të shoqëruara me përplasje mes protestuesve dhe policisë, të lënduar dhe dëme materiale. Organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e tubimeve, ndërsa akuzat e kryeministrit për organizimin dhe financimin e dhunës mbeten pretendime të tij.
Lexo edhe
“Edi Rama nuk është shteti”, Zhllima kritikon sjelljen e policisë gjatë protestave
Begaj takon dy grupe protestuesish, kërkohet shpërndarja e Parlamentit dhe qeveri tranzitore














