Vetëm në një periudhë 8-vjeçare, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka kryer pagesa në vlerën totale prej rreth 414 milionë euro, sipas të dhënave të publikuara në Open Data, të cilat pasqyrojnë shërbimet dhe pagesat e realizuara përmes Thesarit të Shtetit.
Sipas këtyre të dhënave, nga viti 2019 deri në vitin 2026, AKSHI ka likuiduar përmes Thesarit shumën prej 40 miliardë lekësh, që në ekuivalentin aktual përkthehet në 414.5 milionë euro.
Po ashtu, vetëm gjatë vitit 2024, rezulton se janë paguar 9,054,240,561 lekë, të cilat sipas Open Data klasifikohen si detyrime të likuiduara brenda këtij viti.
Ndërkohë, SPAK ka ngritur akuzën e “organizatës kriminale” ndaj AKSHI-t, në kuadër të një hetimi të gjerë për abuzime të dyshuara me fondet publike. Në këtë çështje, me vendim gjykate janë shpallur në kërkim dhe ndaj tyre është caktuar masa e arrestit për biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.
Me masën e arrestit në shtëpi janë vendosur gjithashtu drejtoresha e AKSHI-t dhe nëndrejtoresha, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar dhe përgjegjësive penale.
Autoritetet hetimore nuk kanë dhënë ende detaje të tjera lidhur me kontratat apo projektet konkrete që përbëjnë pjesën më të madhe të këtyre shpenzimeve, por burime pranë çështjes bëjnë me dije se dosja përfshin disa vite dhe një numër të konsiderueshëm procedurash prokurimi.















