Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Mamurras, ku një person mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri.

Sipas raportimeve në media, i plagosuri është shtetasi Pjetër Marku, rreth 50 vjeç, i cili sapo ishte kthyer nga Anglia. Ai është përfshirë në një konflikt të çastit me autorin e dyshuar, i cili tashmë është identifikuar nga policia, por identiteti i tij nuk bëhet ende publik.

Reklame

Mësohet se konflikti ka nisur për shkak të një debati rreth një automjeti. Marku i ka kërkuar autorit të lëvizte me kujdes dhe të mos xhironte gomat e makinës, çka ka sjellë përshkallëzimin e situatës.

Sipas hetimeve paraprake, pas debatit verbal, autori dyshohet se ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar dy herë me pistoletë, ku një prej plumbave e ka goditur Pjetër Markun në krah.

Në dëshminë e dhënë para uniformave blu, Marku ka deklaruar se konflikti ka qenë i momentit dhe ka nisur për shkak të makinës, ndërsa nuk dihet ende nëse ai dhe autori njiheshin më parë mes tyre.
“U zumë për makinën”, ka deklaruar ai.

Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është shpallur në kërkim, ndërsa i plagosuri është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe kapjen e autorit.

Reklame