Advertisement

Detaje të reja janë zbuluar nga operacioni i zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) lidhur me aktivitetin e dyshuar kriminal të disa Call Center-ave në Tiranë.

Sipas burimeve zyrtare, 10 persona janë arrestuar, ndërsa 3 të tjerë janë shpallur në kërkim, konkretisht vëllezërit Alfred, Agim dhe Arjan Prekaj. Njëri prej tyre, Alfred Prekaj, rezulton të jetë pronar i kompanisë “Balkanspro”, e regjistruar me objekt aktiviteti Call Center dhe telemarketing.

Reklame

Gjatë kontrolleve të ushtruara në ambientet e kompanisë dhe në subjekte të tjera të lidhura me të, hetuesit kanë sekuestruar prova materiale të rëndësishme, të cilat pritet të shërbejnë për zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar.

Burime mediatike bëjnë me dije se kontrollet vijojnë edhe gjatë ditës së sotme, ndërkohë që po zhvillohet edhe marrja në pyetje e disa personave të lidhur me këtë çështje, përfshirë ish-punonjës dhe bashkëpunëtorë të dyshuar.

SPAK nuk ka dhënë ende detaje të plota mbi akuzat konkrete, por hetimet paraprake dyshohet se lidhen me mashtrime përmes telemarketingut, me shtrirje edhe jashtë territorit të Shqipërisë.

Operacioni konsiderohet një nga më të rëndësishmit e muajve të fundit në luftën kundër krimit të organizuar dhe aktiviteteve financiare të paligjshme.

Reklame