Deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Saimir Korreshi, ka denoncuar publikisht gjendjen që ai e cilëson skandaloze në repartin e Pediatrisë në Lushnjë.
Përmes një reagimi publik, Korreshi publikoi pamje dhe akuza për kushtet në të cilat trajtohen fëmijët në spital, duke përmendur lagështirën, papastërtinë dhe praninë e minjve në ambientet spitalore.
“Pediatria, drama e çdo nëne për fëmijët e saj… mes lagështirës, fekaleve dhe minjve. Ftoj çdo patronazhist që të tregojë Europën në këtë pavion. Fëmijët tanë nuk meritojnë të trajtohen në këto kushte”, u shpreh deputeti demokrat.
Sipas Korreshit, situata në spitalin e Lushnjës është tregues i neglizhencës së institucioneve ndaj shëndetësisë publike dhe mungesës së kushteve bazë për trajtimin e pacientëve më të vegjël.
Denoncimi ka sjellë reagime në rrjetet sociale, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga institucionet shëndetësore lidhur me gjendjen e repartit të Pediatrisë në qytet.













