Bashkia Shkodër i ka akorduar kompanisë Alko Impex Construction kontratën për mbledhjen dhe transportin e mbetjeve urbane në qytet, përmes një procedure prokurimi që sipas dokumenteve rezulton pa garë reale.

Kontrata, me vlerë rreth 880 mijë euro, parashikon ofrimin e shërbimit për një periudhë 8-mujore. Sipas të dhënave të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, tenderi me fond limit 87.3 milionë lekë është zhvilluar në fund të muajit të kaluar.

Reklame

Në procedurë janë paraqitur dy operatorë ekonomikë. Kompania “Alko Impex Construction” dorëzoi ofertën me vlerë 84.3 milionë lekë, ndërsa kompania tjetër, Rej shpk, rezulton të ketë marrë pjesë pa paraqitur ofertë financiare, duke e kthyer praktikisht garën në një procedurë me një ofertues real.

Në përfundim të procedurës, Bashkia e Shkodrës shpalli fituese kompaninë “Alko Impex Construction”.

Tenderi vjen në një kohë kur kryebashkiaku Benet Beci po përballet me proces gjyqësor në SPAK, ku akuzohet për shkelje të barazisë në tendera gjatë kohës që drejtonte KESH-in.

Ndërkohë, pronari i “Alko Impex Construction”, Arbër Abazi, është paraqitur disa herë në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa ambientet e kompanisë së tij janë kontrolluar në kuadër të hetimeve që lidhen me ish-zv/kryeministren Belinda Balluku.

Sipas raportimeve, Abazi rezulton gjithashtu nën hetim edhe për procedura që lidhen me ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës.

Situata ka rikthyer debatet mbi mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike në Shqipëri, ku në disa raste procedurat e tenderimit menaxhohen nga zyrtarë nën hetim, ndërsa kontratat përfitohen nga kompani që po ashtu rezultojnë subjekt hetimesh nga organet e drejtësisë.

 

Reklame