Një situatë e vështirë vijon në lagjen Abaze të Krujës, ku Forcat e Armatosura janë angazhuar në terren për të mbështetur operacionin kundër zjarrit dhe për të mbrojtur banorët dhe pronën.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka bërë me dije se efektivët e Forcave të Armatosura po punojnë në koordinim me strukturat e tjera të emergjencave për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të mbajtur situatën nën kontroll.
Sipas ministrit, forcat janë të angazhuara edhe në zona të tjera të prekura nga zjarret, përfshirë Lurën, Mallakastrën, Vaun e Dejës, Mirditën, Priskën, Daiasin dhe Farkën.
“Efektivët po punojnë krah për krah me strukturat e tjera të emergjencave, për të frenuar përhapjen e zjarrit dhe për të mbajtur nën kontroll situatën”, deklaroi Nufi.
Ministri tha se, falë ndërhyrjes së strukturave zjarrfikëse vendore dhe Forcave të Armatosura, situata në shkallë kombëtare po menaxhohet dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për jetën dhe banesat e qytetarëve.
Operacionet në zonat e prekura do të vijojnë deri në kontrollin e plotë të vatrave të zjarrit.


Lexo edhe:
Zjarret në Shqipëri/ 23 vatra në 12 orë, 8 mbeten aktive
Zjarret në Priskë dhe Farkë, ndërpritet furnizimi me ujë në Lundër. UKT monitoron situatën














