Personi që shihni në foton e mësipërme është Violand Bracellari, 43-vjeçari i dyshuar si autor i ngjarjes së rëndë të ndodhur mëngjesin e kësaj të enjteje në Maliq, ku mbeti i vrarë efektivi i forcave “Shqiponja”, Enea Mekolli, ndërsa u plagos kolegu i tij, Edison Adri.
Sipas informacioneve paraprake, Bracellari konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë dhe rezulton me precedentë penalë në fushën e narkotikëve.
Burime bëjnë me dije se në vitin 2017 ai është dënuar nga Gjykata e Korçës me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjithashtu, në vitin 2011 ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë një operacioni policor për kapjen e tij, ku sipas të dhënave paraprake, 43-vjeçari ka hapur zjarr ndaj efektivëve të policisë. Si pasojë e të shtënave humbi jetën efektivi Enea Mekolli, ndërsa mbeti i plagosur efektivi Edison Adri.
Sa i përket gjendjes së efektivit të plagosur, burime mjekësore bëjnë me dije se ai ndodhet në gjendje të rëndë. Fillimisht Adri u transportua në spitalin e Korçës, ndërsa po përgatitet transferimi i tij me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku do të marrë trajtim më të specializuar.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi vendin.














