Në një fjalim maratonë prej rreth 100 minutash përpara kabinetit qeveritar dhe grupit parlamentar të PS-së, kryeministri Edi Rama zgjodhi konfrontimin frontal me drejtësinë, duke e kthyer sallën në podium sulmesh ndaj SPAK-ut dhe njëkohësisht në strehë politike për të besuarit e tij.
Rama deklaroi hapur se nuk do ta “lëshojë” zv.kryeministren Belinda Balluku në duart e drejtësisë, duke akuzuar prokurorët e SPAK se janë futur në “garë mandatesh” dhe po presin fletë-arreste “me tufa”. Ironia e fortë ndaj medias, e cilësuar si “tenxhere që shpërthen çdo natë”, e shoqëroi sulmin politik të ditës.
Balluku mungon, Rama flet për të
Ndërsa Rama fliste gjatë e gjerë për drejtësinë, Balluku nuk ishte e pranishme në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së. Kryeministri u shfaq si “avokat mbrojtës”, duke theksuar se akuza ndaj saj nuk është për korrupsion, por për shkelje të barazisë në tendera, dhe se ai vetë ka refuzuar tre herë dorëheqjen e saj.
SPAK nën akuzë: “arreste pa hesap”
Rama e përshkroi veprimtarinë e SPAK-ut si një fushatë spektakli, ku, sipas tij, çështje që “kudo në botë hetohen në gjendje të lirë”, në Shqipëri shndërrohen në arrestime masive. Ai foli për një drejtësi që rrezikon, sipas narrativës së tij, të paralizojë administratën dhe të frikësojë shtetin.
Në këtë linjë, Rama përmendi edhe rastin e ish-drejtoreshës së AKSHI, Mirlinda Karçanaj, duke e portretizuar si viktimë të një “masakre psikologjike”: pa shtëpi në pronësi, pa makinë, që jeton me qira. Një përshkrim që u lexua si tentativë për të zbutur goditjen penale që SPAK ka ndërmarrë ndaj saj.
Goditje edhe për opozitën
Sulmi politik nuk u ndal te drejtësia. Rama u rikthye te kundërshtari i tij i vjetër, Sali Berisha, të cilin e etiketoi si “plak me 5 dërrasa mangut”, duke e akuzuar se po dëmton imazhin e Shqipërisë dhe investimet strategjike, përfshirë interesin e grupit One&Only.
Mesazh i qartë politik
Fjalimi i Ramës u lexua si një paralajmërim i hapur: mazhoranca nuk ka ndërmend të lejojë që drejtësia të diktojë ritmin e qeverisjes. Ndërsa publikisht shpallet mbështetësi më i madh i pavarësisë së gjyqësorit, praktikisht kryeministri vendosi një vijë të kuqe politike rreth njerëzve të tij kyç.
Mes retorikës për integrimin europian dhe akuzave për “bomba artizanale”, një mesazh doli i qartë nga 26 shkurti: Rama nuk po përgatitet të tërhiqet përballë SPAK-ut, por të përplaset.














