Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar të gjitha amendamentet e propozuara për ndryshimet në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë. Paketa e ndryshimeve u votua në tërësi me 84 vota pro, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me rregullat për drejtuesit e rinj të mjeteve. Sipas dispozitave të reja, shoferët që kanë marrë lejen e drejtimit brenda dy viteve të fundit nuk do të lejohen të konsumojnë asnjë sasi alkooli para ose gjatë drejtimit të automjetit.
Kjo do të thotë se niveli i lejuar i alkoolit në gjak për drejtuesit e rinj do të jetë 0.0 për qind, duke vendosur një politikë tolerance zero për këtë kategori shoferësh.
Ndryshimet e miratuara sjellin gjithashtu masa më të ashpra ndaj shkelësve të përsëritur të rregullave të qarkullimit rrugor.
Sipas Kodit të ri, patentën mund ta humbasin përjetësisht drejtuesit e mjeteve që kapen në mënyrë të përsëritur duke drejtuar automjetin nën efektin e alkoolit, me nivel mbi 0.5 gram për litër në gjak.
Autoritetet argumentojnë se ndryshimet synojnë rritjen e sigurisë rrugore, uljen e numrit të aksidenteve dhe forcimin e përgjegjësisë së drejtuesve të mjeteve, veçanërisht të shoferëve të rinj dhe atyre që përsërisin shkeljet e rënda.
Paketa e re ligjore përfshin një sërë masash që synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet evropiane në fushën e sigurisë rrugore, duke vendosur rregulla më të forta për drejtimin e mjeteve nën ndikimin e alkoolit dhe për shkeljet që konsiderohen me rrezik të lartë për jetën e qytetarëve.














