Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka përshëndetur miratimin e Amnistisë Penale në Kuvendin e Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një lajm të mirë dhe të shumëpritur për qindra familje shqiptare.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Lamallari tha se amnistia do t’u japë një mundësi të dytë personave që përfitojnë prej saj, ndërsa theksoi rëndësinë e mbështetjes dhe pranimit të tyre nga shoqëria pas rikthimit në jetën e përditshme.
“Miratimi sot në Kuvendin e Shqipërisë i amnistisë penale është një lajm i mirë për shumë familje shqiptare, të cilat do të kenë pranë njerëzit e tyre të dashur, përfshi kryefamiljarë, gra dhe të mitur. Këta persona kanë nevojë më shumë se kurrë për pranimin dhe mbështetjen e shoqërisë, pa gjykim dhe stigmatizim”, u shpreh ministri.
Sipas Lamallarit, amnistia bazohet në parimet e humanizmit dhe besimit te mundësia e rehabilitimit të individit, duke u dhënë të dënuarve një shans për t’u riintegruar në shoqëri.
Ai shtoi se kjo nismë pasqyron vizionin e qeverisë shqiptare për një politikë penale më moderne, e cila largohet nga qasjet represive të së kaluarës dhe afrohet me standardet dhe vlerat evropiane në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Amnistia Penale u miratua në Kuvend me 84 vota pro. Deputetët e opozitës munguan në momentin e votimit, ndërsa ligji pritet të sjellë lirimin e menjëhershëm të qindra të dënuarve dhe ulje dënimi për qindra të tjerë që plotësojnë kriteret e përcaktuara.
Çfarë parashikon amnistia
Sipas të dhënave zyrtare, 466 persona do të lirohen menjëherë nga burgjet, ndërsa 869 të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit. Përfituesit përfshijnë burra, gra dhe të mitur që plotësojnë kushtet e përcaktuara në ligj.















