Ka nisur në Tiranë protesta e 19-të qytetare kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec dhe kundër qeverisë. Qindra protestues u mblodhën fillimisht në Sheshin Skënderbej, për të vijuar më pas me një marshim drejt Kuvendit të Shqipërisë.
Ndryshe nga protestat e mëparshme, kësaj radhe demonstruesit nuk iu drejtuan godinës së Kryeministrisë, por Parlamentit, ku po zhvillohej seanca plenare dhe ku ndodheshin deputetët e mazhorancës socialiste, si dhe kryeministri Edi Rama.
Gjatë marshimit dhe mbërritjes pranë Kuvendit, protestuesit hodhën thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës. Në kor, ata akuzuan mazhorancën për korrupsion dhe tradhti ndaj interesave të qytetarëve, duke brohoritur slogane si “Rama ik”, “Hajdutë” dhe “Tradhtarë”.
Ndërkohë, brenda sallës së Kuvendit, deputetët vijuan shqyrtimin dhe votimin e çështjeve të rendit të ditës, mes tyre edhe disa projektligje të rëndësishme të miratuara gjatë seancës së sotme.
Protesta zhvillohet në vijim të kundërshtimeve të vazhdueshme ndaj projektit të resortit në Zvërnec, por edhe të pakënaqësive më të gjera që një pjesë e qytetarëve shprehin ndaj qeverisjes dhe vendimmarrjeve të mazhorancës.














