Prokuroria e Vlorës ka kryer kontrolle të befasishme në banesat e disa ish-zyrtarëve të Hipotekës dhe në ambientet e këtij institucioni, në kuadër të një hetimi që lidhet me dyshimet për tjetërsimin e pronave në zonat bregdetare të Orikumit, Radhimës dhe Dukatit.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se veprimet procedurale janë zhvilluar të premten, më 26 qershor, në kuadër të një dosjeje penale që po hetohet prej disa muajsh nga organi i akuzës.
Sipas informacioneve, hetimet lidhen me pretendime për tjetërsimin dhe regjistrimin e sipërfaqeve të konsiderueshme të tokave bujqësore në zonën bregdetare, ku banorë vendas pretendojnë se janë cenuar të drejtat e pronësisë të fituara përmes ligjit 7501.
Kallëzimet penale janë depozituar nga një grup banorësh të Orikumit, Radhimës dhe Dukatit, të cilët kanë paraqitur denoncime si në Prokurorinë e Vlorës, ashtu edhe në SPAK. Në kallëzime ngrihen dyshime për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas burimeve, kallëzimet janë dorëzuar gjatë vitit të kaluar dhe pas një periudhe verifikimesh e hetimesh paraprake, prokuroria ka vendosur kryerjen e kontrolleve në disa banesa të ish-zyrtarëve të Hipotekës së Vlorës dhe në zyrat e institucionit.
Deri më tani nuk ka informacion zyrtar nëse gjatë kontrolleve janë sekuestruar dokumente apo prova të tjera me rëndësi për hetimin. Megjithatë, burime pranë çështjes bëjnë të ditur se procedurat hetimore vijojnë dhe dosja mbetet në zhvillim.
Organet e drejtësisë ende nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme lidhur me personat nën hetim apo masat që mund të merren në vijim.














