FIFA ka ndërprerë marrëdhënien e punës me Kevin Lamour, drejtorin operativ të organizatës, vetëm pak javë pasi ai kritikoi publikisht planin e presidentit Gianni Infantino për t’u ofruar investitorëve privatë një pjesë të të ardhurave të Kupës së Botës.
Sipas Sky News, FIFA nuk ka dhënë detaje mbi arsyet konkrete të largimit të Lamour, duke konfirmuar vetëm se marrëdhënia e punës me të përfundoi më 17 gusht 2026.
Lamour, 45 vjeç, ishte një nga bashkëpunëtorët e hershëm të Infantinos. Në korrik, ai kishte kritikuar mungesën e transparencës rreth planit të propozuar dhe kishte thënë se stafi i FIFA-s ishte “mashtruar”, duke kërkuar më shumë respekt dhe qartësi nga drejtuesit.
Në një letër drejtuar anëtarëve të Këshillit të FIFA-s, sekretari i përgjithshëm Mattias Grafstrom njoftoi se organizata dhe Lamour kishin “rënë dakord të ndaheshin”, duke vlerësuar kontributin e tij gjatë gati dy viteve në detyrë.
Largimi i tij vjen në një periudhë të vështirë për Infantinon, pas reagimeve të forta ndaj planit për një investim prej rreth 20 miliardë dollarësh në të drejtat dhe asetet e lidhura me Kupën e Botës. Përballë kundërshtimit nga zyrtarë dhe organizata të rëndësishme të futbollit, propozimi u tërhoq.
Lamour kishte deklaruar se ishte i gatshëm të përballej edhe me pasojat personale për qëndrimin e tij, duke thënë se kishte një detyrim ndaj kolegëve të tij për të folur hapur.
Ndërkohë, UEFA, Konfederata Aziatike e Futbollit dhe CONCACAF kanë kërkuar shqyrtim të mënyrës së drejtimit të Infantinos pas polemikave të fundit.
Pavarësisht kritikave, presidenti amerikan Donald Trump ka dalë në mbështetje të Infantinos, duke paralajmëruar se shkarkimi i tij do të ishte një “gabim i tmerrshëm”.
Lamour kishte qenë pjesë e rrethit të ngushtë që mbështeti Infantinon në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s në vitin 2016. Ai kishte hyrë në botën e futbollit pas një periudhe në politikë dhe kishte punuar më herët si ndihmës i ish-presidentit të UEFA-s, Michel Platini.
Lexo edhe:
FIFA hetim ndaj Argjentinës/ Institucioni i presidentit Infantino ka dy akuza të rënda
Lëkunden pozitat e Infantinos? Presidenti i CONCACAF shqyrton kandidimin për kreun e FIFA-s















