Eurodeputetja italiane Ilaria Salis, pjesë e grupit parlamentar të Gjelbër në Parlamentin Europian, ka mbërritur në Tiranë për t’iu bashkuar “Revolucionit të Flamingove”, lëvizjes qytetare që proteston prej javësh kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit.
Protesta, e cila këtë të shtunë ka hyrë në ditën e saj të 27-të, ka tërhequr vëmendje edhe jashtë Shqipërisë, ndërsa pjesëmarrja e eurodeputetes italiane konsiderohet një zhvillim me rëndësi politike dhe simbolike për organizatorët e lëvizjes.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salis bëri të ditur se fundjavën do ta kalojë në Tiranë, ku do të marrë pjesë në aktivitetet e protestës dhe do të takojë aktivistët e përfshirë në këtë lëvizje qytetare.
“Sapo mbërrita në Tiranë. Këtë fundjavë do të jem në demonstratë dhe do të takoj njerëzit dhe aktivistët që po i japin jetë kësaj lëvizjeje fantastike popullore”, shkroi eurodeputetja.
Mbështetja e një anëtareje të Parlamentit Europian vjen në një moment kur protestat kundër projektit në Zvërnec kanë hyrë në javën e katërt, ndërsa organizatorët vijojnë të kërkojnë mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe rishikimin e vendimeve që lidhen me investimet strategjike.
Prania e Salis në Tiranë pritet të sjellë edhe më shumë vëmendje ndërkombëtare ndaj kauzës së protestuesve dhe debatit mbi zhvillimet në zonën e Zvërnecit.














