Advertisement

Një 28-vjeçar është arrestuar nga Policia e Lezhës pasi dyshohet se tentoi të vriste nënën e bashkëjetueses së tij duke e përplasur me automjet, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit në lagjen “Skënderbeg”.

Sipas Policisë, i arrestuari është shtetasi Cuf Behi 28 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa e dëmtuara është 43-vjeçarja Klementina Huti, e cila mbeti e plagosur dhe u transportua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Reklame

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:05, kur 28-vjeçari kishte shkuar për të marrë bashkëjetuesen e tij. Në ato momente kanë dalë familjarët e vajzës dhe, sipas hetimeve paraprake, për motive që lidhen me marrëdhëniet familjare, i riu ka goditur me automjet nënën e saj dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia bëri të ditur se, falë reagimit të shpejtë dhe operacionit të koduar “Reagimi”, autori i dyshuar u lokalizua dhe u arrestua në flagrancë.

Mbi 28-vjeçarin rëndon akuza e “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, ndërsa automjeti i përdorur në ngjarje është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Bashkëshorti i të dëmtuarës, Agron Huti, deklaroi se konflikti nuk kishte lidhje me familjen e tij, por me bashkëjetuesen e autorit të dyshuar.

“E gjithë inatin e ka pasur me nusen, me nusen time. Bashkëshortja ka dëmtime nga pjesa e shpatullës deri te kofsha, si dhe në pjesën e brinjëve”, u shpreh ai.

43-vjeçarja vijon të marrë trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë nga Prokuroria e Lezhës.

Reklame