Advertisement

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër pas ngjarjeve të raportuara gjatë protestës së opozitës, duke dënuar dhunën ndaj gazetarëve dhe operatorëve mediatikë në terren.

Sipas Zhupës, incidentet e ndodhura përbëjnë një goditje të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së informimit të publikut. Ajo i është referuar edhe paralajmërimeve të organizatës ndërkombëtare Reporterët pa Kufij, e cila sipas saj ka ngritur më herët shqetësimin se gazetarët në protesta shpesh përballen me dhunë policore.

Reklame

Zhupa solli si shembull rastin e gazetares Marsi Korreshi nga Syri TV, e cila sipas saj është goditur me ujë me presion gjatë raportimit dhe është rrëzuar në tokë si pasojë e ndërhyrjes policore.

Ajo e cilësoi këtë situatë si një “alarm serioz për gjendjen e lirisë së medias”, duke shtuar se detyra e policisë është garantimi i rendit publik dhe jo intimidimi i gazetarëve.

Deputetja e opozitës theksoi gjithashtu se çdo veprim i tillë duhet të hetohet dhe autorët të mbajnë përgjegjësi ligjore, duke nënvizuar se asnjë strukturë e rendit nuk mund të jetë mbi Kushtetutën dhe të drejtat themelore të qytetarëve.

Reklame