Kanë dalë pamjet nga operacioni për nxjerrjen e mjetit lundrues që u përfshi në aksidentin tragjik të një dite më parë në Ksamil, ku humbi jetën një 22-vjeçar.
Skafi, i cili u përplas me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, është nxjerrë nga deti për t’iu nënshtruar ekspertizës teknike, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.
Pamjet tregojnë momentin kur mjeti lundrues transportohet drejt bregut, ku specialistët pritet të kryejnë verifikimet e nevojshme që mund të ndihmojnë në përcaktimin e dinamikës së aksidentit.
Ngjarja e rëndë ndodhi në ujërat e Ksamilit, ku përplasja mes dy mjeteve lundruese rezultoi fatale për të riun 22-vjeçar. Autoritetet kanë nisur hetimet dhe po analizojnë dëshmitë, provat materiale dhe ekspertizat përkatëse.
Ndërkohë, pritet që rezultatet e ekspertizës së skafit të japin më shumë detaje mbi shpejtësinë, manovrat dhe faktorët që çuan në aksidentin tragjik.













