Gjykata Supreme Federale e Brazilit ka pranuar kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e Ervin Matës, i arrestuar në Brazil dhe i kërkuar nga drejtësia shqiptare për akuzat që lidhen me trafikimin ndërkombëtar të drogës.
Gjykata braziliane ka vlerësuar se kërkesa e Shqipërisë plotëson kushtet ligjore dhe se veprat penale për të cilat Mata akuzohet parashikohen edhe në legjislacionin brazilian.
U arrestua në Brazil, përdorte dokumente angleze
Ervin Mata u arrestua në prill në Ilha Bela të Brazilit.
Sipas të dhënave të dosjes, ai përdorte dokumente angleze, të vlefshme deri në vitin 2030, ndërsa ndaj tij ishte lëshuar urdhër-arrest.
Autoritetet shqiptare e kërkonin prej vitit 2023, kur SPAK e shpalli në kërkim si pjesë të një grupi kriminal prej 11 personash.
Dyshimet për 250 kilogramë kokainë
Sipas dosjes hetimore, grupi dyshohet për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.
Ervin Mata akuzohet se ka koordinuar trafikimin e 250 kilogramëve kokainë, ngarkesë që dyshohet se ishte nisur nga Brazili drejt aeroportit të Frankfurtit në Gjermani, në fund të shtatorit 2020.
Në të njëjtën dosje përfshihet edhe Erzen Breçani, djali i ish-zyrtarit të policisë.
Ndaj Matës, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzat që lidhen me trafikimin e narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe veprimtarinë e organizatës kriminale.
Përplasja në ish-Bllok
Ervin Mata është i njohur edhe për një tjetër ngjarje të bujshme të vitit 2018.
Ai u përfshi në përplasjen me Ervis Martinajn në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha, truproja e Martinajt.
Pas vendimit të autoriteteve braziliane, ekstradimi i Matës drejt Shqipërisë i hap rrugë përballjes së tij me drejtësinë shqiptare për akuzat e ngritura ndaj tij.
Lexo edhe
Arrestohet në Brazil Ervin Mata, në kërkim nga SPAK për trafik kokaine
GJKKO vulos burgun për Eralbi Breçanin, akuzohet për 446 kg kokainë















