Nga Saimir Kola
Besa nuk është një dokument, nuk është një slogan, nuk është një fjalë e bukur për t’u përdorur kur pushteti fillon të lëkundet. Besa nuk është as letër, as tufë letrash e aq më pak një shuk parash.
Për shqiptarin, besa ka qenë kontrata më e fortë morale. Fjala e dhënë vlente më shumë se çdo vulë. Pas besës nuk fshihej mashtrimi, por nderi.
Shqiptari nuk e ka njohur kurrë besën e të pabesit. Andej nga ne, i pabesi nuk ulej në rresht me burrat. E kur taksirati e sillte punën që ai të betohej, për besën e tij nuk mjaftonte fjala e vet.
Duhej të gjente edhe 28 burra të besës që të viheshin garant për të.
Sot na flitet për “Besën” si dokument politik, që ulet aq poshtë sa lihet porosi të lexohet në plazh. Por besa nuk shkruhet. Besa jetohet. Z. Kryeministër, nëse besoni te pesha e kësaj fjale, atëherë prova nuk është dokumenti juaj.
Prova jeni ju.
Për shumë shqiptarë, këtë provë e keni humbur prej kohësh. Nuk është më nevoja të numërohen premtimet e pambajtura, kthesat politike apo zhgënjimet, apo prejet në besë pasi u morët votën. Shqiptarët nuk kanë më kohë për të humbur as nga jeta e tyre, as nga jeta e prindërve të tyre e as nga jeta e fëmijëve të tyre.
Largimi i një kryeministri nuk është tragjedia e Shqipërisë.
Tragjedia është kur një njeri beson se Shqipëria nuk mund të vazhdojë pa të. Ky vend ka jetuar para nesh dhe do të jetojë edhe pas nesh.
Prandaj, nëse ende i besoni kuptimit të fjalës “Besa”, ka ardhur koha ta provoni me veprim dhe jo me dokument.
Ka ardhur koha të largoheni.
Jo nga dobësia, por nga përgjegjësia.
Jo sepse e kërkon opozita, por sepse kështu e kërkon vetë besa.
Besa bes kështu është kjo punë!
Reklame








