Një kontroll i urdhëruar nga SPAK në burgun e Bradasheshit ka zbuluar sende të palejuara në ambientet e kuzhinës, e cila frekuentohet nga të paraburgosur dhe të dënuar.
Gjatë kontrollit, të zhvilluar të shtunën, janë gjetur alkool dhe pajisje për shpërndarjen e internetit në ambientet e institucionit të vuajtjes së dënimit.
Sipas burimeve, kontrollet janë kryer me urdhër të prokurorëve të SPAK që po hetojnë dosjen e AKSHI-t.
Në kuadër të këtyre kontrolleve, në fokus të dyshimeve ka qenë edhe Ergys Agasi, i cili mbahet në paraburgimin e Bradasheshit.
Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka të dhëna përfundimtare që sendet e gjetura gjatë kontrollit lidhen me Agasin apo me ndonjë të paraburgosur ose të dënuar konkret.
Kontrollet dhe verifikimet pritet të ndihmojnë hetuesit për të përcaktuar se kujt i përkasin sendet e gjetura dhe si kanë përfunduar ato brenda ambienteve të burgut.
Hetimi vijon, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar nëse zbulimet e bëra gjatë kontrollit kanë lidhje me çështjen që po hetohet nga SPAK apo me shkelje të tjera brenda institucionit.
Lexo edhe:
Shpataraku dërgohet në burgun e Peqinit, ish-polici u arrestua teksa shoqëronte Ergys Agasin
Kontroll në burgun e Durrësit, gjenden 5 telefona celularë në qeli















