Tiranë –Sekretari i Përgjithshëm I Partise se Lirise, Tedi Blushi, ka ashpërsuar akuzat ndaj qeverisë për mënyrën e funksionimit të shoqërisë shtetërore KAYO, duke e cilësuar atë si një “mekanizëm të strukturuar mafioz” dhe si një “puç kushtetues” ndaj kontrollit mbi paranë publike.

Në deklaratën e tij, Blushi pretendon se modeli i ndjekur përmes KAYO-s ka krijuar një skemë ku shteti vijon të financojë, ndërsa kompanitë me shumicë private administrojnë fondet dhe, sipas tij, shmangin mekanizmat tradicionalë të prokurimit dhe kontrollit publik.

Reklame

KAYO është shoqëri me 100% kapital shtetëror, nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes, e krijuar për prodhimin dhe furnizimin e shtetit me mjete ushtarake, dronë, armë, municione, veshje dhe pajisje strategjike.

Sipas Blushit, më pas janë krijuar katër kompani të përbashkëta me sektorin privat: Timak Defence, Advanced Arms Technology, MKD dhe Guna Tactical.

Ai ngre si pikë kryesore të kritikës faktin se në tre prej këtyre shoqërive KAYO zotëron 20% të aksioneve, ndërsa në njërën prej tyre 49%, duke mbetur në pakicë.

Blushi: Shteti paguan, privati menaxhon

Sipas Blushit, ky konfigurim aksionar krijon një problem serioz për mënyrën se si kontrollohen fondet publike.

Blushi pretendon se, duke qenë se kompanitë kanë shumicë private, ato nuk i nënshtrohen të njëjtit regjim të prokurimit publik dhe kontrollit financiar që do të zbatohej në një shoqëri ku shteti zotëron shumicën.

“Shteti paguan, privati menaxhon paranë publike, ndërsa kontrolli kushtetues mbi të neutralizohet”, deklaron Blushi.

Ai pretendon gjithashtu se kontrolli nuk kufizohet vetëm te institucionet audituese, por prek edhe transparencën dhe mbikëqyrjen parlamentare.

Rasti i Timak Defence dhe Ron Yeffet

Një prej rasteve që Blushi vendos në qendër të akuzave është Timak Defence.

Sipas tij, më 17 qershor 2025, 49% e aksioneve të Timak janë shitur për 490 euro shtetasit izraelit Ron Yeffet, ndërsa disa javë më vonë është krijuar Timak Defence, ku KAYO zotëron 20%.

Blushi pretendon se kompania ka përfituar rreth 26 milionë euro nga Buxheti i Shtetit deri në qershor 2026, ndërsa në një pjesë tjetër të deklaratës e çon shumën e pretenduar në rreth 30 milionë euro.

Këto shifra dhe mënyra e përfitimit të fondeve janë pjesë e pretendimeve të bëra publikisht nga Blushi dhe kërkojnë verifikim nga institucionet kompetente.

Edhe Guna Tactical në qendër të kritikave

Një tjetër rast i përmendur është Guna Tactical.

Blushi thotë se KAYO fillimisht zotëronte 51% të aksioneve, por në maj 2026 pjesëmarrja e shtetit zbriti në 49%, duke humbur shumicën.

Sipas tij, kjo kompani ka përfituar rreth 8 milionë euro nga Buxheti i Shtetit deri në maj 2026.

Blushi argumenton se kalimi i shtetit në pakicë në këto shoqëri krijon një situatë ku kompanitë funksionojnë si subjekte private, ndërsa klienti kryesor mbetet shteti.

“Modeli KAYO duhet hetuar”

Duke i cilësuar këto zhvillime si “kapje të shtetit” dhe “puç kushtetues”, Blushi kërkon që çështja të hetohet në mënyrë të plotë.

Ai bëri të ditur se opozita ka depozituar nismën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili, sipas tij, duhet të verifikojë ligjshmërinë e veprimeve të kryera gjatë funksionimit të KAYO-s.

Në fokus kërkohet të jenë marrëveshjet e bashkëpunimit, marrëdhëniet kontraktuale, prodhimi, importi, eksporti dhe tregtimi i armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.

Blushi e lidh çështjen edhe me detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe me pretendimet e tij të mëparshme lidhur me një audio-përgjim të Ron Yeffet.

Ai akuzon gjithashtu SPAK-un për mungesë veprimi ndaj Edi Ramës, ndërsa pretendon se skema mund të shtrihet edhe në sektorë të tjerë, përfshirë shëndetësinë.

Lexo edhe:

“KAYO” dhe 34 milionë eurot/ Opozita kërkon Komision Hetimor për dyshimet për trafik ndërkombëtar armësh

Tabaku: KAYO, hallka e radhës e sistemit të korrupsionit; nesër do të jetë shëndetësia

Reklame