Një rast i ushtrimit të prostitucionit është goditur nga policia në lagjen “3 Heronjtë” në Shkodër, ku janë arrestuar 5 persona dhe është vënë nën hetim pronarja e ambienteve.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, finalizuan operacionin e koduar “Rent Home 3”, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Gjatë ndërhyrjes u zbuluan dy apartamente të marra me qira, të përshtatura për ushtrimin e prostitucionit. Në pranga ranë tre shtetase nga Kolumbia, të moshave 48, 32 dhe 27 vjeçe, të cilat dyshohet se ushtronin aktivitetin e paligjshëm, si dhe dy të rinj shqiptarë, 28 dhe 24 vjeç.
Ndërkohë, është proceduar penalisht pronarja e apartamenteve, 27 vjeçe, e dyshuar për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodër për veprime të mëtejshme.














