Opozita ka zyrtarizuar në Kuvend kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor për kompaninë shtetërore “KAYO” sh.a., duke kërkuar verifikimin e aktivitetit të saj në fushën e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.
Kërkesa është firmosur nga 41 deputetë të opozitës, nga Grupet Parlamentare të Partisë Demokratike, Partisë së Lirisë dhe “Aleancës për Ndryshim”.
Opozita pretendon se kompania ka përfituar rreth 34 milionë euro brenda pak muajsh, ndërsa ngre pikëpyetje mbi aktivitetin dhe kontratat e saj.
Në qendër të kërkesës janë edhe dyshimet për krijimin e një skeme të trafikut ndërkombëtar të armëve, të cilat opozita thotë se lidhen me audiopërgjime të bëra publike.
Komisioni Hetimor propozohet të ketë një mandat prej 6 muajsh dhe të përbëhet nga 15 deputetë.
Çfarë kërkon të hetojë opozita?
Në dokumentin e depozituar në Kuvend, opozita kërkon që komisioni të verifikojë ligjshmërinë e marrëveshjeve të bashkëpunimit të lidhura nga “KAYO” me palë të treta.
Gjithashtu, kërkohet kontrolli i procesit të përzgjedhjes, negocimit dhe miratimit të kontratave me subjektet tregtare.
Një tjetër pikë e rëndësishme është kontrolli i aktivitetit të “KAYO” dhe shoqërive të saj bija në prodhimin, importin, eksportin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.
Opozita kërkon gjithashtu të verifikojë mënyrën se si janë alokuar dhe përdorur fondet nga Buxheti i Shtetit.
Dyshimet për trafik armësh
Në kërkesë përmendet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe verifikimi i dyshimeve për një skemë të trafikut ndërkombëtar të armëve, bazuar në audiopërgjimet që janë bërë publike.
Opozita kërkon që këto pretendime të verifikohen përmes dokumenteve, kontratave dhe procedurave të ndjekura nga kompania.
Në fokus do të jetë edhe përmbushja e detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO.
Kërkohet edhe përgjegjësi institucionale
Deputetët kërkojnë që komisioni të identifikojë shkelje apo parregullsi të mundshme në administrimin e “KAYO”, shoqërive bija dhe fondeve publike.
Nëse konstatohen problematika, opozita kërkon edhe përcaktimin e përgjegjësive institucionale.
Në fund, kërkesa parashikon edhe vlerësimin e nevojës për ndryshime ligjore që do të garantonin më shumë ligjshmëri, transparencë, konkurrencë dhe llogaridhënie në aktivitetin e kompanisë.
Ngritja e Komisionit Hetimor tashmë i takon Kuvendit, ndërsa pretendimet për trafik ndërkombëtar armësh dhe mënyrën e përdorimit të fondeve publike mbeten çështje që kërkojnë verifikim institucional.
Kerkese per ngritjen e Komisionit Hetimor per kompanine KAYO
Lexo edhe:
Denoncimet e Ahmetajt për trafik armësh, Bardhi kërkon hetim për KAYO: Çështje e sigurisë kombëtare















