Situata e zjarreve në Shqipëri vijon të kërkojë angazhim të forcave zjarrfikëse dhe të strukturave të Mbrojtjes Civile. Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë ditës së sotme, 10 shtator 2026, janë raportuar gjithsej 30 vatra zjarri në territorin e vendit.

Nga këto, 7 vatra mbeten aktive, 10 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 13 janë shuar plotësisht.

Reklame

Në operacionet për shuarjen dhe izolimin e vatrave janë angazhuar 404 forca operacionale vendore dhe lokale, së bashku me 21 automjete zjarrfikëse.

Në mbështetje të tyre, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 133 efektivë, një helikopter, dy automjete zjarrfikëse, një dron, 13 mjete dhe një autoambulancë.

Dajti, një nga vatrat aktive në Tiranë

Në Qarkun e Tiranës vijon aktive vatra në Malin e Dajtit.

Gjatë ditës në këtë zonë kanë operuar 25 zjarrfikës, 7 forca të Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe 52 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur me 6 mjete dhe një autoambulancë.

Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, vatrat në Malin e Bërzhitës dhe në Malin me Gropa janë izoluar dhe vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje.

Dibra me disa vatra aktive

Situata paraqitet më e ndërlikuar në Qarkun e Dibrës, ku vijojnë aktive disa vatra.

Zjarre aktive raportohen në Lundre-Madhesh në Mat, Cerrujë-Mali i Allushit në Klos, Selishtë, si dhe një vatër e re në Pleshë të Klosit.

Vatra në Qafën e Helmesit ndërkohë mbahet nën mbikëqyrje.

Shkodër dhe Fushë-Arrëz

Në Qarkun e Shkodrës, aktive mbetet vatra në Porav, Fushë-Arrëz.

Zjarret në Rragam dhe në malin e Tërbunit janë nën mbikëqyrje dhe, sipas autoriteteve, nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, vatra në Mnelë të Madhe është shuar.

Mallakastra, ndërhyrje edhe nga ajri

Në Qarkun e Fierit, vatra në Peshtan vijon të monitorohet, ndërsa zjarri në Çërrilë të Mallakastrës mbetet aktiv.

Për përballimin e kësaj vatre janë angazhuar forcat vendore, strukturat pyjore dhe ato të mbrojtjes civile.

Në operacion kanë ndërhyrë edhe Forcat e Armatosura me një helikopter, 32 efektivë dhe 3 mjete.

Në qarqet Lezhë, Elbasan dhe Korçë situata paraqitet më e qëndrueshme. Vatrat e raportuara janë kryesisht të shuara ose nën mbikëqyrje.

Opar të Korçës vijon puna në terren, por vatra është klasifikuar nën mbikëqyrje dhe nuk raportohet rrezik për banesat.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile.

Prioriteti i operacioneve mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave, pasurisë dhe mjedisit.

Lexo edhe:

Lamallari pas arrestimeve për zjarret në Fier: “Asnjë zjarrvënie nuk është e vogël”

Digjet toka, pastaj vjen investimi? A kanë lidhje zjarret me “Paketën e Maleve”

Reklame