“E bëra për t’u hakmarrë për vëllain tim, të cilin e ka plagosur 15 vite më parë”. Kjo mësohet të jetë deklarata që Poli Boriçi, 52-vjeçari i arrestuar për atentatin e dështuar në Elbasan, ka dhënë përpara hetuesve.

Sipas dëshmisë së tij, tentativa për të sulmuar me armë Ermir Kërtezin, 50 vjeç, lidhet me një konflikt të vjetër mes dy familjeve. Boriçi ka pretenduar se Kërtezi kishte plagosur vëllain e tij rreth 15 vite më parë dhe se pasojat e asaj ngjarjeje kishin qenë të rënda, deri në paralizimin e tij.

Reklame

Ky version po verifikohet nga hetuesit, të cilët po punojnë për të zbardhur motivin e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse konflikti i hershëm ka qenë shkaku që e ka shtyrë 52-vjeçarin drejt atentatit.

Kërtezi: Marrëdhëniet ishin normalizuar

Përballë deklarimeve të autorit të dyshuar qëndron versioni i vetë shënjestrës së atentatit.

Ermir Kërtezi ka deklaruar se marrëdhëniet mes tyre ishin normalizuar prej vitesh dhe se dy familjet jetonin pranë njëra-tjetrës, pa pasur konflikte gjatë rreth 15 viteve të fundit.

Kontradikta mes dy versioneve pritet të jetë një nga elementët që do të verifikohen gjatë hetimit.

Si ndodhi atentati në Elbasan?

Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00 në një lokal në lagjen “28 Nëntori” në Elbasan.

Sipas dinamikës së hetuar deri tani, Kërtezi ndodhej brenda lokalit dhe më pas doli jashtë për të folur në telefon. Boriçi, i cili ndodhej në të njëjtin lokal, dyshohet se e ndoqi pas duke mbajtur një armë.

Ai tentoi ta qëllonte Kërtezin nga pas, por arma nuk funksionoi. Pas kësaj, 50-vjeçari u kthye dhe tentoi t’i largohej situatës, ndërsa autori i dyshuar u largua nga vendi i ngjarjes.

Boriçi u arrestua më pas nga Policia.

Hetuesit po vijojnë verifikimet për të përcaktuar motivin e atentatit, dinamikën e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësitë penale.

Lexo edhe

Elbasan/ Atentat në mes të ditës, arma i ngec autorit: Shënjestra shpëton dhe përballet me të

“Elbasani nën radar: 1787 gjoba, 3 arrestime dhe 1000 shoferë të kapur me shpejtësi”

Reklame