Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj Partisë Demokratike Europiane, pasi kjo e fundit shprehu mbështetje për protestën e zhvilluar në Tiranë.
Në një postim në rrjetin social X, Rama ka kritikuar demokratët europianë për qëndrimin e tyre, duke publikuar edhe një moment ku deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, përballet me protestues teksa tenton të hyjë në Kuvend.
Rama i akuzon kritikët se e shohin situatën nga “komoditeti i tastierës”, ndërsa pretendon se deputetët shqiptarë, nga e djathta në të majtë, janë përballur me fyerje dhe dhunë fizike gjatë hyrjes në Parlament.
Sipas Ramës, gjatë protestës ndaj deputetëve janë hedhur vezë dhe gurë.
Kryeministri e cilëson këtë sjellje si të papranueshme dhe kundërshton interpretimin e saj si “kundërshtim demokratik”.
Në reagimin e tij, Rama përmend edhe rastin e Iris Luarasit, duke e cilësuar atë si një akademike dhe mbrojtëse të të drejtave të grave, ndërsa shprehet se ajo është fyer dhe keqtrajtuar teksa po përpiqej të shkonte në vendin e saj të punës.
Në fund, Rama u drejtohet drejtpërdrejt Demokratëve Europianë:
“Lëreni Shqipërinë të qetë dhe mos e përfshini në këtë histori.”
Ai pretendon se Shqipëria është një vend “realisht i lirë” dhe më demokratik sesa politika e kritikëve të tij.
Reagimi i kryeministrit vjen një ditë pas protestave të zhvilluara pranë Kuvendit, ku pati tensione mes protestuesve, policisë dhe deputetëve që tentonin të hynin në Parlament.

REAGIMI I PLOTE
Pra, për llojin tuaj të veçantë të demokratëve dembelë, pengimi i deputetëve që të hyjnë në seancën hapëse të Parlamentit quhet “kundërshtim”?
Ndoshta kështu duket nga rehatia e tastierës suaj. Por, jo për kolegët tuaj shqiptarë, nga e djathta në të majtë, të cilët u detyruan të kalonin mes një korridori sharjesh dhe dhune fizike, me vezë e madje edhe gurë të hedhur ndaj tyre, vetëm që të arrinin në vendin e tyre të punës.
A nuk ju vjen turp të mbështesni një sjellje kaq të neveritshme dhe ta shisni atë si kundërshtim demokratik? Me sa duket, jo.
Meqë ra fjala, shikoni se si një deputete e nderuar, një akademike e respektuar dhe një mbrojtëse gjerësisht e njohur e të drejtave të grave, fyhet dhe keqtrajtohet nga modelet tuaja të “kundërshtimit”, teksa thjesht përpiqet të arrijë në vendin e saj të punës.
Dhe kjo nuk ishte as më e keqja nga ato që kolegëve tuaj shqiptarë iu desh të përballonin dje.
Keni ndonjë gjë për të thënë për këtë formë të veçantë të “kundërshtimit”, nga piedestali juaj i lartë demokratik? Apo shqetësimi juaj për demokracinë përfundon aty ku fillojnë faktet e pakëndshme?
Dhe ju lutem, lëreni Shqipërinë të qetë dhe mos e përfshini në këtë histori. Shqipëria është një vend realisht i lirë dhe shumë më demokratik sesa politika juaj mendjengushtë. Ajo nuk meriton të bëhet çamçakëz në gojët mediokre të njerëzve që i shkëmbejnë faktet me angazhim të lirë politik.
Lexo edhe
Rezultatet e ‘PISA’ 2025, Rama: Shqipëria ka marrrë një dëftesë të jashtëzakonshme
“2.1 milionë m² tokë shtetërore”/ Bardhi shpërthen në Kuvend: “Rama i zhduku për interesa personale”















