Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me akuzat ndaj Ergys Agasit, duke ngritur pretendime për mënyrën se si po trajtohet çështja penale ndaj tij.
Në komunikimin e tij, Berisha pretendoi se akuzat ndaj Agasit janë zbutur dhe se nga dosja është hequr akuza për pengmarrje, duke u zëvendësuar, sipas tij, me veprën penale të heqjes së paligjshme të lirisë.
“Ajo që është jashtëzakonisht e rëndë, ajo që fakton dorën e zezë të Edi Ramës, është çlirimi i tij nga akuza e pengmarrjes”, deklaroi Berisha.
Ai e akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ndërhyrë në këtë proces, duke pretenduar se është kërkuar ndryshimi i formulimit të akuzës.
“Edi Rama ka urdhëruar që të hiqet termi pengmarrje dhe të quhet heqje lirie. Janë dy kategori, të cilat kanë vepra penale me dallim të madh në penalitete”, u shpreh kreu i PD-së.
Berisha ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi akuzën për shkeljen e barazisë në tendera ndaj Agasit. Sipas tij, Agasi nuk kishte kompetenca zyrtare për të zhvilluar tendera, por pretendon se ai mund të ketë ushtruar ndikim mbi procedurat publike.
“Në mënyrë qesharake, akuzohet për pabarazi në tendera një njeri që zyrtarisht, me ligj, me rregullore nuk ka pasur autoritet për të zhvilluar asnjë tender”, tha Berisha.
Sipas tij, thelbi i hetimit duhet të jetë nëse Agasi ka përdorur ndikimin dhe presionin për të ndikuar në tendera, pavarësisht se nuk kishte kompetencë formale për t’i zhvilluar ato.
“Por përkundrazi, ka përdorur dhunën, forcën për të diktuar për shumë e shumë tendera”, pretendoi ai.
Berisha foli edhe për mënyrën e arrestimit të Agasit, duke ngritur dyshime nëse bëhej fjalë për një arrestim të negociuar. Ai përmendi lëvizjet e Agasit gjatë periudhës kur ishte në kërkim dhe rolin e një punonjësi policie që e shoqëronte.
Megjithatë, Berisha theksoi se këto janë dyshime që, sipas tij, duhet të hetohen dhe nuk mund të konsiderohen si fakte të provuara.
“Dyshimet janë dyshime, nuk mund të merren si të mirëfillta”, deklaroi ai.
lexo edhe
Berisha: PD po ripërtërihet, “partia e krimit” po shkon drejt shpërbërjes















