Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar zhvillimet politike të javës së fundit përmes komunikimit të përjavshëm me ndjekësit në Facebook.
Berisha u ndal te mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për procesin e ripërtëritjes së partisë.
Sipas tij, PD po punon për transformimin e strukturave, komunikimit dhe organizimit, me synimin për t’u rikthyer në pushtet.“PD mblodhi Këshillin e saj Kombëtar kushtuar ripërtëritjes dhe rolit të anëtarit të kësaj partie në procesin e ripërtëritjes”, deklaroi Berisha.
Ai tha se në këtë proces është përfshirë edhe ekspertizë ndërkombëtare, ndërsa theksoi nevojën që anëtari i partisë të jetë në qendër të organizimit të ri.
“Me një ekspertizë të çmuar ndërkombëtare, pas një pune intensive të drejtuesve, specialistëve dhe ekspertëve tanë më të mirë, është arritur në krijimin e të gjithë instrumenteve të domosdoshme për transformimin e komunikimit, organizimit, modernizimit të kësaj partie”, u shpreh ai.
Duke iu referuar mazhorancës, Berisha përdori termin “partia e krimit” dhe e akuzoi qeverinë se po largohet nga qytetarët dhe protestuesit.
“Kjo parti, siç konstatoni, kalon nga një vilë e kuqe në një vilë tjetër të kuqe qeveritare, për të faktuar këtu se, shteti dhe partia janë një”, tha Berisha.
Ai shtoi se mazhoranca, sipas tij, po shmang përballjen me qytetarët.
“Paniku dhe e pashpresa, de facto ajo po shpërbëhet”, deklaroi kryedemokrati.
Berisha e mbylli komunikimin duke vënë përballë dy zhvillimet politike: procesin e ripërtëritjes së PD-së dhe atë që ai e konsideron si dobësim të mazhorancës.















