Shqipëria vijon të përballet me vatra zjarri në disa qarqe të vendit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 33 vatra zjarri, nga të cilat 6 vijojnë aktive, ndërsa 10 të tjera mbahen nën mbikëqyrje.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 214 forca operacionale dhe 30 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të operacioneve janë angazhuar edhe 60 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 automjete zjarrfikëse, 1 ekskavator i rëndë me zinxhir, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Vatrat aktive në disa qarqe
Në Malin e Dajtit, Tiranë, vijon ndërhyrja ndaj vatrave aktive. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në zonën Gojan–Gjegjan–Tërbun, në Bashkinë Pukë, operacioni vijon me forca vendore dhe të Forcave të Armatosura. Sot janë dislokuar edhe 40 efektivë të FA-së dhe një helikopter për mbështetje nga ajri.
Situata në këtë zonë është vënë nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për banesat. Ndërkohë, vatra në Prozhëm vijon aktive, ku po punohet për izolimin e saj.
Në qarkun Dibër, vijojnë aktive vatrat në Ballenjë dhe Qafë të Helmës, ndërsa zjarri në Bërshi mbahet nën mbikëqyrje.
Në Mirditë, vatra në Shtuf vijon aktive. Ndërkohë, vatrat në Lufaj dhe Tenë janë izoluar dhe po monitorohen nga strukturat në terren.
Autoritetet thonë se operacionet kanë në fokus izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave aktive, si dhe parandalimin e riaktivizimeve për shkak të kushteve të motit dhe terrenit.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të sistemit të Mbrojtjes Civile.
Lexo edhe:
Zjarret në Shqipëri/ Përmirësohet situata, 4 vatra aktive dhe 6 nën mbikëqyrje















