21 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 6 prej tyre mbeten aktive dhe 7 janë nën mbikëqyrje. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se operacionet për menaxhimin e situatës vijojnë në disa zona të vendit.
Në terren janë angazhuar 354 forca operacionale dhe 24 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 155 efektivë, 3 automjete zjarrfikëse, 1 ekskavator të rëndë, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Mali i Dajtit
Në Malin e Dajtit vijon operacioni për izolimin e vatrave të mbetura, me mbështetjen e 30 efektivëve të Forcave të Armatosura.
Gjatë ditës së djeshme në zonë u angazhuan 25 efektivë të MZSH-së, 5 forca të ADZM-së dhe 30 efektivë të FA-së, së bashku me kapacitetet ajrore.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Zjarri riaktivizohet në Bulqizë
Në Qafë të Helmes, Bulqizë, zjarri është riaktivizuar në dy vatra në një zonë me pyje me pisha të dendura.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 11 efektivë të MZSH-së, të cilët po punojnë për vendosjen e vatrave nën kontroll.
Mirditë, vatra aktive në Shtuf
Në Shtuf të Mirditës, vatra mbetet aktive, por me intensitet të ulët dhe po monitorohet nga strukturat vendore.
Ndërkohë, në zonën Shtanë–Tenë, situata paraqitet e stabilizuar.
Në operacion janë angazhuar 6 efektivë të MZSH-së, 6 punonjës të Shërbimit Pyjor dhe 15 forca bashkiake.
Nuk raportohet rrezik për banesat.
Prozhem, Pukë
Në Prozhem të Pukës, zjarri vijon të jetë aktiv në sipërfaqe pyjore.
Operacioni po zhvillohet me strukturat vendore dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Edhe në këtë zonë, aktualisht nuk ka rrezik për banesat.
Ndërkohë, situata në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh është izoluar ose zjarret janë shuar dhe zonat po mbahen nën mbikëqyrje për të parandaluar riaktivizimet.
Mali i Çikës, mbi Palasë
Vatra në Malin e Çikës, mbi Palasë, vijon në një terren të thepisur dhe të vështirë për t’u aksesuar nga ekipet tokësore.
Për ndërhyrjen dhe shuarjen përfundimtare të zjarrit janë angazhuar 2 avionë Air Tractor.
Ministria e Mbrojtjes deklaron se, pavarësisht terrenit të vështirë dhe ndikimit të erës në disa zona, situata në disa prej vatrave kryesore është përmirësuar.
Operacionet vijojnë me fokus izolimin e vatrave aktive, parandalimin e riaktivizimeve dhe mbrojtjen e zonave të banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Lexo edhe:
Efektiv i Forcave të Armatosura plagoset gjatë operacionit kundër zjarreve në Mirditë
Zjarret në Shqipëri/ Përmirësohet situata, 4 vatra aktive dhe 6 nën mbikëqyrje















