Erion Veliaj dhe Bashkia Tiranë kanë ankimuar vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, e cila nuk pranoi të shqyrtonte në themel padinë për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të Ols Dados në detyrën e prokurorit.

Në njoftimin për shtyp, pala paditëse argumenton se gjykata e ka mbyllur çështjen për mungesë legjitimimi, pa shqyrtuar pretendimet lidhur me kriteret ligjore që, sipas padisë, duhej të plotësoheshin në momentin e emërimit të Dados në vitin 2008.

Reklame

Sipas pretendimeve të Bashkisë dhe Veliajt, në atë kohë Ols Dado nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe nuk plotësonte kriteret ligjore përjashtimore që do të mundësonin emërimin e tij si prokuror.

Kërkohet shqyrtimi i pavlefshmërisë së dekretit

Në ankim ngrihet argumenti se çështja lidhet me pavlefshmërinë absolute të një akti administrativ, e cila, sipas palës paditëse, mund të konstatohet në çdo kohë dhe edhe kryesisht nga gjykata.

“Gjykata e mbylli procesin për mungesë legjitimimi, pa shqyrtuar pikërisht atë që ligji i lejon dhe i kërkon ta konstatojë edhe kryesisht”, thuhet në deklaratë.

Pala që ka bërë ankimin kërkon që Gjykata Administrative e Apelit të shqyrtojë në themel pretendimet dhe të verifikojë nëse akti përmes të cilit Ols Dado ka fituar statusin e prokurorit është i vlefshëm nga pikëpamja ligjore.

Veliaj: Barazia para ligjit duhet të vlejë për të gjithë

Në deklaratë argumentohet se çështja nuk lidhet vetëm me interesin personal të Erion Veliajt, por me parimin e barazisë para ligjit dhe kontrollit gjyqësor mbi ushtrimin e pushtetit publik.

Sipas palës paditëse, nëse një qytetar ose funksionar i zgjedhur i nënshtrohet kontrollit dhe procedurave gjyqësore, i njëjti standard duhet të zbatohet edhe për personat që ushtrojnë pushtet në sistemin e drejtësisë.

Në këtë kuadër, deklarata thekson se pretendimi nuk është për një imunitet për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, por për kontrollin gjyqësor të ligjshmërisë së titullit mbi të cilin një prokuror ushtron detyrën.

Asnjë imunitet për Kryetarin e Bashkisë, por asnjë imunitet nga kontrolli gjyqësor për prokurorin”, thuhet në përfundim të njoftimit.

Çështja tashmë pritet të shqyrtohet nga Gjykata Administrative e Apelit, pas ankimit të Erion Veliajt dhe Bashkisë Tiranë.Shënim: Pretendimet për mënyrën e emërimit të Ols Dados dhe vlefshmërinë e dekretit janë qëndrime të palës që ka bërë ankimin dhe nuk përbëjnë, në këtë fazë, një konstatim gjyqësor përfundimtar mbi ligjshmërinë e emërimit.

Lexo edhe:

Gjykata Administrative rrëzon padinë e Erion Veliajt për prokurorin Ols Dado

Gjykata e Lartë cakton datën për rishqyrtimin e masës së Erion Veliajt

Reklame