Numri dy i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kundërshtuar projektin për ndryshimin e hartës territoriale të vendit, duke e cilësuar shkrirjen e 15 bashkive si një nismë që, sipas tij, cenon parimet kushtetuese të decentralizimit dhe autonomisë vendore.

Në një deklaratë publike, Blushi akuzon qeverinë se projekti nuk synon përmirësimin e shërbimeve publike, por centralizimin e mëtejshëm të pushtetit dhe ridizenjimin e hartës administrative për interesa politike dhe elektorale.

Reklame

Sipas tij, drafti është paraqitur pa një proces të plotë konsultimi dhe pa një analizë të detajuar mbi kostot, ndikimin financiar dhe përfitimet konkrete që do të kenë qytetarët nga ndryshimet e propozuara.

Blushi i referohet edhe Kushtetutës së Shqipërisë dhe Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, duke argumentuar se ndryshimet territoriale duhet të respektojnë parimin e subsidiaritetit dhe të shoqërohen me konsultim real me komunitetet e prekura.

“Shkrirja e 15 bashkive nuk është një reformë territoriale që synon përmirësimin e shërbimeve publike apo rritjen e efikasitetit të administratës, por përqendrim i pushtetit vendor në duart e qeverisë qendrore”, shprehet Blushi.

Ai ngre shqetësimin se bashkimi i njësive vendore mund të krijojë distanca më të mëdha mes qytetarëve dhe administratës, veçanërisht në zonat rurale dhe malore.

Sipas tij, banorët e zonave të thella të bashkive që preken nga reforma do të përballen me vështirësi më të mëdha në marrjen e shërbimeve publike. Blushi përmend si shembuj zonat e Iballës, Berishës, Mërturit, Shopelit, Tërpanit, Vërtopit, Zagorisë dhe zona të tjera në veri dhe jug të vendit.

Në deklaratë paraqiten edhe disa distanca të pretenduara mes zonave të largëta dhe qendrave bashkiake, të cilat, sipas Blushit, do të rriteshin pas zbatimit të reformës së propozuar.

Blushi ngre një sërë pyetjesh mbi efektet e reformës, duke kërkuar të bëhet publike analiza që provon se shkrirja e 15 bashkive do të sjellë shërbime më cilësore, administratë më të aksesueshme dhe zhvillim më të balancuar territorial.

“Ku është studimi që provon se qytetarët do të marrin shërbime më të mira pas shkrirjes së 15 bashkive? Ku është analiza që garanton se administrata do të jetë më pranë qytetarëve?”, shprehet ai.

Në përfundim, Blushi kërkon tërheqjen e projektit dhe një proces të gjerë konsultimi me qytetarët dhe institucionet vendore. Ai kërkon që çdo ndryshim i hartës administrative t’i nënshtrohet referendumit, duke argumentuar se vendimi duhet të merret nga komunitetet e prekura.

“Bashkitë nuk janë pronë e qeverisë dhe as vija në hartë që ndryshohen sipas interesave politike dhe elektorale të Edi Ramës, por institucione kushtetuese të qytetarëve”, deklaron Blushi.

Sipas tij, nëse qeveria është e bindur se reforma është në interes të qytetarëve, atëherë duhet t’u japë atyre mundësinë të shprehen përmes referendumit.

Lexo edhe:

PL kundër shkrirjes së bashkive, Blushi: Hartën e re të Shqipërisë ta vendosë sovrani me referendum

Blushi kundër reformës territoriale: “Spastrimi administrativ i Shqipërisë duhet ndaluar me çdo çmim”

Reklame