Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi pas takimit me kreun e Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë kandidat të përveçëm për President të vendit.

Sipas tij, as Partia Demokratike e Kosovës dhe as LDK-ja nuk kanë një emër konkret në tavolinë, çka e lë procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit në një fazë delikate politike.

Reklame

83-85 vota për të shmangur krizën

Kurti theksoi se synimi kryesor është shmangia e zgjedhjeve të parakohshme, duke kërkuar një konsensus të gjerë parlamentar.

“Në vijim ose të gjejmë një emër të përveçëm që na garanton të ketë 2/3 e deputetëve që qëndrojnë në sallë e votojnë më së largu deri më 4 mars, apo subjektet politike të merren vesh për rrugën përpara”, deklaroi ai.

Kryeministri nënvizoi se nevojiten 83-85 deputetë të pranishëm në sallë, pasi mungesa edhe e një deputeti mund ta çojë vendin automatikisht në zgjedhje.

“Përshtypja është që subjektet politike konsiderojnë se s’duhet që edhe në vitin 2026, gjysmën e parë, të na marrin zgjedhjet. Do të përpiqemi maksimalisht të evitojmë zgjedhjet shkaku i moszgjedhjes së presidentit”, shtoi Kurti.

Qëndrimi i PDK-së

Një ditë më parë, Kurti u takua me kreun e PDK-së, Bedri Hamza, i cili deklaroi se partia e tij nuk do të bëhet pengesë e proceseve shtetërore, por nuk do të mbështesë kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar.

Hamza kërkoi reflektim nga ata që kanë përgjegjësi kushtetuese për të propozuar një emër me mbështetje të gjerë politike dhe shoqërore.

Afatet kushtetuese

Sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhja e Presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani.

Me afatet që afrohen dhe pa një kandidat konsensual në horizont, skenari i zgjedhjeve të parakohshme mbetet një mundësi reale, nëse palët politike nuk arrijnë një marrëveshje në javët në vijim.

Reklame