Ish-deputeti opozitar, Lefter Maliqi, ka deklaruar se objektivi i tij politik për zgjedhjet vendore të vitit 2027 është fitorja e Bashkisë së Kuçovës dhe mbështetja për rikthimin e PD-së në drejtimin e bashkive të Qarkut Berat.

Në një postim në rrjetet sociale, Maliqi ka rikujtuar lidhjen e tij me Beratin, Kuçovën dhe Skraparin, duke renditur postet që ka mbajtur ndër vite, nga drejtues i Policisë në këto zona, kryetar i Komunës Otllak, deri te mandati si deputet i Qarkut Berat.

Reklame

Ai shkruan se përvoja politike dhe përballjet ndër vite,  e kanë bërë më të vendosur për të vijuar angazhimin politik.

“Berati! Qyteti i një mbi një dritareve, qytet muze mbi 2400-vjeçar, i Kalasë, Osumit, Malit të Tomorrit, i historisë, patriotizmit, traditës dhe kulturës!   
Jam krenar që kam lindur në Berat, me origjinë nga Kuçova dhe që fëmijërinë e kalova në Lapardhë. Gjithë rrugëtimi im personal, profesional dhe politik është i lidhur ngushtë me Qarkun Berat.
Kam pasur nderin t’u shërbej qytetarëve si drejtues i Policisë në Berat, Kuçovë e Skrapar, Kryetar i Komunës Otllak, deputet për 7 vjet i Qarkut Berat dhe drejtues politik për shumë vite. Në çdo detyrë kam besuar se premtimet kanë vlerë vetëm kur kthehen në vepra.
Së bashku realizuam investime që e bënë ish-Komunën Otllak një model zhvillimi në qark dhe kam qenë gjithmonë pranë qytetarëve, jo vetëm me projekte, por edhe në çdo hall, problem e fatkeqësi.
Përvoja, sakrificat, fitoret dhe padrejtësitë që kemi përjetuar, përfshirë grabitjen e mandatit të Bashkisë së Kuçovës në vitin 2023, na kanë bërë më të fortë dhe më të vendosur.
Objektivi ynë është i qartë: në vitin 2027 do të fitojmë Bashkinë e Kuçovës dhe do ta kthejmë në një kantier ndërtimi, model zhvillimi, transparence dhe shërbimi për qytetarët. Njëkohësisht, do të kontribuojmë me të gjitha forcat për fitoren e Bashkisë së Beratit dhe të Partisë Demokratike në të gjithë qarkun.
Berati, Kuçova dhe Skrapari do të ecin së bashku drejt zhvillimit, me punë, ndershmëri dhe përkushtim.
Asnjë hap pas! Së bashku drejt fitores dhe në shërbim të qytetarëve duarartë, punëtorë e patriotë të Qarkut Berat!”, shkruan Maliqi.
Reklame