Policia e Tiranës ka intensifikuar kontrollet në terren për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, si dhe për rritjen e parametrave të sigurisë publike.
Kontrollet janë shtrirë edhe në zonën e Krujës, konkretisht në Fushë-Krujë, Bubq dhe Nikël. Në operacionet e zhvilluara nga Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, janë arrestuar në flagrancë dy persona.
Gjatë kontrolleve, njëri prej të arrestuarve është kapur me një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë, ndërsa personi tjetër është arrestuar pasi gjatë kontrollit iu gjet dhe iu sekuestrua një armë e ftohtë, konkretisht një shufër metalike.
Kontrollet kanë pasur në fokus evidentimin e rasteve të armëmbajtjes pa leje, posedimit të lëndëve narkotike, kapjen e personave në kërkim, si dhe verifikimin e automjeteve luksoze, mjeteve të blinduara dhe automjeteve me xhama të errësuar tej normave të lejuara.
Gjithashtu, Policia ka kontrolluar edhe automjete të modifikuara që shkaktojnë zhurma shqetësuese në qytet.
Në kuadër të kontrolleve të befasishme të zhvilluara në akset kryesore rrugore dhe zona të ndryshme të Tiranës, si dhe në Fushë-Krujë, Bubq e Nikël, janë kontrolluar dhe verifikuar 87 automjete dhe 118 shtetas.
Si rezultat i kontrolleve, Policia ka konstatuar dhe hequr 34 xhama të errësuar, të vendosur në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor. Për drejtuesit e mjeteve që qarkullonin në kundërshtim me ligjin janë vendosur edhe masa administrative.
Po ashtu, janë shoqëruar 12 automjete dhe 16 shtetas për verifikime të mëtejshme.
Gjatë operacionit është shoqëruar gjithashtu një person, pasi dyshohet se kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Në kuadër të këtij rasti, Policia ka sekuestruar edhe automjetin luksoz që përdorte.
Policia e Tiranës bën me dije se kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me fokus parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Lexo edhe:














