Një bisedë e përgjuar nga autoritetet italiane ka zbuluar detaje të reja mbi mënyrën se si komunikonin anëtarët e një grupi të dyshuar të trafikut të drogës në Itali. Në përgjimet e përfshira në dosjen hetimore, kokaina dyshohet se përmendej me termin “mish”, ndërsa cilësia e saj identifikohej me shprehjen “si ai i Kukësit”.
Sipas hetimeve, më 24 korrik 2024, Shkëlzen Daci kontaktoi Ergys Kastratin, i njohur me nofkën “Daja”, duke e pyetur nëse kishte në dispozicion 4 deri në 5 kilogramë lëndë narkotike.
Autoritetet italiane thonë se Daci u identifikua përmes analizës së zërit, ndërsa përgjimet tregojnë se Kastrati konsiderohej një figurë me rol të rëndësishëm brenda grupit të dyshuar kriminal.
Nga materialet hetimore rezulton se gjatë bisedës u diskutua edhe transportimi i drogës. Pasi mësoi se personat e planifikuar nuk mund ta kryenin transportin, Daci vendosi të lëvizte vetë drejt banesës së Kastratit, ndonëse ndodhej nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” në një procedim tjetër penal.
Hetuesit kanë dokumentuar gjithashtu lëvizjet përmes sistemit GPS të automjetit të Kastratit, i cili sipas dosjes rezulton të ketë ndaluar pranë banesës së Dacit në Barletta.
Këto prova janë përfshirë në dosjen e autoriteteve italiane, të cilat po hetojnë aktivitetin e një rrjeti të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.















