Forcat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), në bashkëpunim me Inspektoriatin Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IMT), kanë ndërhyrë sërish në qytetin bregdetar të Vlorës, ku po vijojnë aksionet për prishjen e objekteve që pengojnë projektet infrastrukturore.

Këtë herë, fadromat kanë nisur shembjen e një banese dykatëshe, e cila sipas autoriteteve pengonte realizimin e projektit për lidhjen e portit detar me rrugën Transballkanike.

Reklame

Ndërhyrja është shoqëruar me tensione, pasi banorët që jetonin më parë në këtë objekt kanë kundërshtuar prishjen. Ata pretendojnë se prona është e rregullt nga ana dokumentare dhe se çështja ndodhet ende në proces gjyqësor.

Sipas tyre, objekti nuk duhej të shembej pa u marrë më parë një vendim përfundimtar nga gjykata.

“Është prona ime”, dëgjohet të thotë një prej qytetareve, teksa i drejtohet forcave të policisë gjatë momentit të ndërhyrjes.

Ndërkohë, autoritetet vijojnë aksionin në terren në kuadër të zbatimit të projekteve publike në zonë.

Reklame