Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen penale ndaj ish-kryeinspektorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Ardian Halili, i cili akuzohet për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Në të njëjtën dosje, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” akuzohet edhe Saimir Mezja, jurist dhe aktualisht inspektor pranë IMT-së Durrës.
Në qendër të hetimit është kompleksi luksoz “Saint Michelle Rezidence”, në fshatin Shetaj, Njësia Administrative Ishëm, në Bashkinë Durrës, i cili më herët është shembur nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.
Sipas Prokurorisë, hetimet kanë evidentuar se kompleksi është ndërtuar në disa faza dhe se një pjesë e strukturave të tij dyshohet se janë ndërtuar në kundërshtim me lejet e miratuara.
Çfarë konstatoi Prokuroria në kompleks?
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, hetuesit kanë evidentuar një objekt dykatësh, ku në katin e sipërm funksiononte një bar-restorant, ndërsa në pjesën e poshtme kishte ambiente që shërbenin për akomodimin e turistëve.
Në kompleks janë konstatuar gjithashtu 11 godina njëkatëshe në njërën anë të rrugës së betonizuar, pesë prej të cilave ishin funksionale, ndërsa të tjerat nuk kishin dyer dhe dritare.
Në pjesën tjetër të kompleksit janë evidentuar edhe 10 objekte të tjera, pesë prej të cilave ishin funksionale dhe të pajisura me orendi për akomodimin e personave.
Sipas Prokurorisë, gjatë këqyrjes në terren janë konstatuar edhe punime që po kryheshin në disa prej strukturave, ndërsa në disa objekte ishin hequr tjegullat.
Pretendimet e Ardian Halilit
Gjatë marrjes në pyetje, Ardian Halili ka mohuar që në kompleks të ishin kryer punime ndërtimore të paligjshme.
Ai ka deklaruar se në momentin e kontrollit nuk po kryheshin punime, por po hiqeshin disa orendi dhe sende të ndryshme, pasi ishte vënë në dijeni se objekti do të prishej.
Halili ka pretenduar gjithashtu se punimet e kryera në kompleks ishin bërë në bazë të lejeve të marra nga Bashkia Durrës.
Në lidhje me 11 objektet, ish-kryeinspektori ka deklaruar se ato nuk përbënin ndërtime pa leje, pasi, sipas tij, ishin të ndërtuara me material polisteroli dhe çati druri.
Megjithatë, Prokuroria ka arritur në përfundimin se kompleksi është ndërtuar në disa faza kohore dhe se për një pjesë të strukturave ka pasur shkelje të lejeve të dhëna.
Prokuroria: Halili kishte detyrë të kontrollonte territorin
Sipas të dhënave të administruara gjatë hetimit, Ardian Halili ishte komanduar në detyrën e kryeinspektorit të IMT-së më 26 prill 2018 dhe marrëdhënia e tij e punës kishte përfunduar më 19 mars 2021.
Prokuroria dyshon se, gjatë kohës që mbante detyrën, ai kishte përgjegjësi për kontrollin e territorit dhe kishte në varësi inspektorë që mbulonin zonën ku ndodhej kompleksi në pronësi të tij.
Një nga çështjet kryesore të hetimit lidhet me mënyrën se si janë kontrolluar punimet në këtë zonë dhe nëse detyrat e inspektimit janë ushtruar në përputhje me ligjin.
Çfarë deklaroi Saimir Mezja?
Saimir Mezja, i cili akuzohet për shpërdorim detyre, ka deklaruar se ka nisur punë në IMT Durrës në qershor të vitit 2019 dhe se vazhdon të jetë pjesë e këtij institucioni.
Ai ka pohuar se ishte në dijeni se toka ku ndodhej kompleksi ishte në pronësi të Ardian Halilit.
Megjithatë, Mezja ka deklaruar se, sipas detyrave të tij funksionale, për inspektimin e punimeve që kryheshin në zbatim të një lejeje ndërtimi duhej të kishte një urdhër nga kryeinspektori.
Sipas tij, gjatë gjithë periudhës që ka pasur përgjegjësi për kontrollin e territorit, nuk ka marrë asnjë urdhër, me shkrim apo me gojë, për të inspektuar punimet në pronën e Ardian Halilit.
Inspektori: Në vitin 2022 u konstatuan shkelje
Një tjetër dëshmi e administruar në dosje është ajo e inspektorit G. Hidri.
Ai ka deklaruar se gjatë një kontrolli të kryer në vitin 2022, pas një njoftimi të Policisë së Shtetit për punime ndërtimore në zonën e Kepit të Rodonit, u konstatua se leja e dhënë nga Bashkia Durrës nuk përputhej me punimet e kryera.
Sipas dëshmisë së tij, leja ishte dhënë për vendosjen e tendave pergola, ndërsa strukturat ishin mbyllur me material gipsi, duke ndryshuar funksionin dhe karakterin e tyre nga tenda në ambiente të mbyllura.
Për këto shkelje, sipas dëshmisë së inspektorit, IMT-ja kishte mbajtur akt-konstatimin dhe kishte ndjekur procedurat përkatëse administrative.
Dëshmia e efektivit të Policisë
Në dosje është administruar edhe dëshmia e një efektivi të Policisë së Shtetit, i cili ka mbuluar zonën e Njësisë Administrative Ishëm nga nëntori i vitit 2019 deri në dhjetor të vitit 2021.
Efektivi ka deklaruar se gjatë kësaj periudhe nuk kishte konstatuar punime ndërtimore në kompleksin “Saint Michelle Rezidence” dhe se nuk kishte hyrë asnjëherë brenda tij.
Sipas tij, me sa mbante mend, kompleksi ishte i përfunduar gjatë periudhës që ai mbulonte territorin.
Ai ka deklaruar gjithashtu se nuk kishte marrë njoftime apo denoncime për punime të paligjshme në kompleks.
Dosja tashmë në gjykatë
Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria e Tiranës ka vendosur dërgimin e çështjes për gjykim ndaj Ardian Halilit dhe Saimir Mezjas.
Ish-kryeinspektori përballet me akuzat për ndërtim të paligjshëm dhe shpërdorim detyre, ndërsa Mezja akuzohet për shpërdorim detyre.
Tashmë do të jetë gjykata ajo që do të vlerësojë provat e administruara gjatë hetimit dhe do të vendosë nëse akuzat e ngritura nga Prokuroria qëndrojnë.
Të pandehurit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Lexo edhe:
“150 mijë euro fitime në muaj” – Shkatërrohet rrjeti shqiptar-italian i drogës, 16 arrestime















