Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar ndaj vendimit të Partisë Demokratike për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara për blerjen e pajisjeve ushtarake.
Nufi e cilësoi të papranueshëm që një marrëveshje që lidhet me sigurinë kombëtare të kthehet në një përplasje politike mes mazhorancës dhe opozitës.
Sipas ministrit, siguria kombëtare duhet të trajtohet mbi interesat partiake dhe nuk duhet të ketë ndarje politike për çështje të tilla.
“Qëndrimet e PD janë të papranueshme në raport me këtë marrëveshje. Siguria kombëtare nuk është çështje debati politik. Ky nuk është sinjal i mirë, të atakohet një marrëveshje që financon mbrojtjen është e papranueshme. Nuk duhet të ketë krah politik, mesazhi që çojmë është shumë i gabuar. Raporti ynë me SHBA tregon se Shqipëria është aleat i besueshëm”, deklaroi Nufi.
Ministri hodhi poshtë gjithashtu pretendimet e opozitës për shkelje të Kushtetutës gjatë procedurës së miratimit të marrëveshjes.
Ai tha se anëtarët e komisioneve parlamentare kanë pasur mundësi të njihen me përmbajtjen e saj dhe se procedura e përshpejtuar nuk ka penguar shqyrtimin e dokumentit.
“Nuk është në shkelje të Kushtetutës. Mënyra si është diskutuar, anëtarët e Komisionit të Ekonomisë dhe Sigurisë kanë pasur mundësi ta lexojnë në Kuvend. I është dhënë koha e mjaftueshme pas miratimit të procedurës së përshpejtuar që të shqyrtohej dhe të lexohej”, u shpreh ministri.
Sipas Nufit, përmbajtja e marrëveshjes nuk do të ndryshonte edhe nëse do të respektohej afati i kërkuar nga opozita.
Ai theksoi gjithashtu se marrëveshja mes Shqipërisë dhe SHBA-së është subjekt i një monitorimi të rreptë nga autoritetet amerikane.
Reagimi i ministrit vjen pas vendimit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se gjatë miratimit të marrëveshjes janë shkelur disa dispozita kushtetuese dhe procedura parlamentare.
Përplasja mes mazhorancës dhe opozitës pritet të vijojë tashmë edhe në planin juridik, ndërsa vendimi përfundimtar për kushtetutshmërinë e procedurës së ndjekur do të jetë në dorë të Gjykatës Kushtetuese.
Lexo edhe:
Agron Shehaj pezullohet për 60 ditë nga Kuvendi, PS kërkon referimin e çështjes në SPAK
Kuvendi rinis seancën për marrëveshjen e huasë me SHBA, PD braktis sallën















