Gjykata e Tiranës ka dënuar dy ish-zyrtarë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Bëhet fjalë për ish-drejtorin Artjol Saliasi dhe ish-zyrtarin Gëzim Sala, të cilët janë dënuar fillimisht me nga 9 muaj burgim.

Reklame

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi është reduktuar me një të tretën, duke u konvertuar në 6 muaj heqje lirie për secilin.

Megjithatë, Gjykata e Tiranës ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim. Në përfundim, dy ish-zyrtarët do të kryejnë 1 vit shërbim prove.

Hetimi për punësimin e Muçi Shaljanit në AMP

Artjol Saliasi dhe Gëzim Sala ishin vënë nën hetim për mënyrën e ndjekur gjatë procedurës së punësimit në AMP të Muçi Shaljanit, i cili u vra në atentatin e Rinasit në nëntor të vitit të kaluar.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, dy ish-zyrtarët dyshohet se nuk kanë respektuar procedurat ligjore për rekrutimin e agjentëve të rinj në strukturën e AMP-së.

Nga hetimi rezultoi se Saliasi dhe Sala kishin komunikuar me njëri-tjetrin lidhur me punësimin e Shaljanit në agjenci. Dokumentet për procedurën e punësimit dyshohet se janë përgatitur nga Gëzim Sala.

Sipas organit të akuzës, dy ish-zyrtarët kanë anashkaluar procedurat e parashikuara për rekrutimin e punonjësve të rinj.

Prokuroria ka deklaruar se gjatë hetimit nuk është gjetur dokumentacion që të provonte një kërkesë, me shkrim apo verbalisht, për rekrutimin e agjentëve për shkak të “nevojave urgjente”.

Kjo ishte një nga argumentet e përdorura për të justifikuar procedurën e shpejtë të ndjekur për punësimin e Muçi Shaljanit në strukturën e AMP-së.

Vendimi i Gjykatës së Tiranës vjen pas përfundimit të procesit gjyqësor ndaj dy ish-zyrtarëve, të cilët tashmë do të vuajnë masën e përcaktuar nga gjykata përmes shërbimit të provës.

Atentati në Rinas/ Merret i pandehur ish-drejtori i AMP, punësoi Muçi Shaljanin në kundërshtim me ligjin

“Largohu nga banesa me fëmijët ose…”/ Muçi Shaljani u vra në Rinas, vëllezërit dhe gruaja sherr për pronat!

Reklame