Përfaqësuesit e opozitës në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme kanë propozuar një deklaratë për dënimin e deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila ka deklaruar se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë.

Propozimi u rrëzua nga përfaqësuesit e mazhorancës, të cilët votuan kundër miratimit të deklaratës.

Reklame

Nënkryetarja e Komisionit, Albana Vokshi, akuzoi mazhorancën për mungesë të një qëndrimi të qartë ndaj deklaratave të ministres serbe, duke i bërë thirrje që të mbështesë rezolutën e propozuar prej vitesh nga opozita për dënimin e krimeve serbe në Kosovë.

Sipas Vokshit, patriotizmi nuk duhet të mbetet në nivel retorike politike, por duhet të shprehet përmes vendimeve konkrete në mbrojtje të interesave kombëtare dhe të qytetarëve.

Çfarë parashikonte deklarata?

Në dokumentin e propozuar, Komisioni dënonte ashpër deklaratat e ministres Paunoviç, duke i cilësuar ato si lavdërim të spastrimit etnik dhe nostalgji për politikat e regjimit të Sllobodan Millosheviçit.

Deklarata rikujtonte krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 1998–1999, përfshirë masakrat, dëbimet masive, dhunimet dhe shkatërrimin e vendbanimeve, të dokumentuara nga drejtësia ndërkombëtare.

Gjithashtu, dokumenti shprehte nderimin për viktimat dhe dëshmorët e luftës në Kosovë, si dhe solidaritetin me Republikën e Kosovës për vendimin e saj për ta shpallur ministren serbe persona non grata.

Kërkesat e opozitës

Në deklaratë kërkohej gjithashtu:

  • miratimi nga Kuvendi i rezolutës për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë;
  • shpallja persona non grata e ministres Snezhana Paunoviç edhe nga Shqipëria;
  • shqyrtimi i mundësive ligjore për referimin e saj për nxitje publike të spastrimit etnik dhe gjenocidit, në përputhje me Konventën e OKB-së për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit;
  • kërkesa ndaj Qeverisë së Serbisë për t’u distancuar publikisht nga deklaratat e ministres dhe për të marrë masa ndaj zyrtarëve që promovojnë retorikë të tillë.

Pavarësisht argumenteve të opozitës, përfaqësuesit e Partisë Socialiste në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme votuan kundër deklaratës, duke bërë që ajo të mos miratohej.

 Berisha: Ndjesa e ministres serbe nuk ndryshon thelbin e deklaratës, kërkojmë ta shpallim “non grata”

Serbia drejt zgjedhjeve të parakohshme, 25 tetori si datë e mundshme – pritet shpërndarja e Kuvendit

Reklame