Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila tha se, nëse do të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

Në një reagim publik, Berisha e cilësoi deklaratën e ministres serbe si të papranueshme dhe tha se kërkimfalja e saj nuk ndryshon përmbajtjen e qëndrimit të shprehur.

Reklame

Sipas kreut të PD-së, reagimet ndaj deklaratës së Paunoviq kanë ardhur nga institucione dhe zyrtarë ndërkombëtarë, përfshirë Zëdhënësinë e Komisionit Evropian, Komisioneren për Zgjerim Marta Kos, Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, deputetë evropianë dhe figura të politikës serbe.

Berisha kritikoi gjithashtu qeverinë shqiptare, duke e akuzuar se nuk ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe.

Sipas tij, kërkimfalja e mëvonshme e Paunoviq, ku ajo tha se duhej të kishte përdorur termin “deportim” në vend të “spastrimit etnik”, nuk e zbut thelbin e deklaratës së saj.

Partia Demokratike përsëriti kërkesën që ministrja serbe të shpallet “non grata” në Shqipëri dhe të ngrihet një padi ndaj saj për nxitje të gjenocidit.

Reklame