Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka njoftuar se aksi nacional Librazhd–Prrenjas është bllokuar totalisht për të gjitha mjetet.
Sipas njoftimit zyrtar, në këtë segment aktualisht nuk lejohet kalimi i asnjë automjeti, përfshirë ambulancat, mjetet zjarrfikëse dhe mjetet e Policisë së Shtetit, të cilat deri më tani kishin akses të kufizuar në këtë rrugë.
Strukturat përgjegjëse ndodhen në terren dhe po monitorojnë situatën në vijimësi, ndërsa për çdo zhvillim të ri pritet një komunikim zyrtar.
Ndërkohë, Prefektura e Qarkut Korçë ka bërë të ditur se është në koordinim të plotë me institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatës.
Bllokimi i këtij aksi kryesor ka rënduar ndjeshëm qarkullimin në juglindje të vendit, duke krijuar vështirësi të mëdha për qytetarët dhe shërbimet emergjente.















